Ballina OP-ED Çfarë i kërkon konkretisht Rama Bashës

Çfarë i kërkon konkretisht Rama Bashës

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së, Kryeministri Edi Rama kishte shumë frymë në gjoks kur tha: “Unë dua t’i bëj…

Nga Preç Zogaj

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së, Kryeministri Edi Rama kishte shumë frymë në gjoks kur tha: “Unë dua t’i bëj një thirrje Partisë Demokratike dhe kryetarit të Partisë Demokratike”. Solemniteti i pozës dhe tonit paralajmëronte një thirrje të pagjasë. Por si të ishte penduar apo si të kishte marrë vrull kot, zoti Rama u shfry me disa fraza libreske të përgjithshme të tipit, “opozita është përfaqësuese e një pjesë të popullit”, “opozita duhet të përfaqësojë me dinjitet ambicien e atyre që kanë votuar për të çelur negociatat për anëtarësim”, e tjerë.

Gjithsesi, edhe pse duke i rënë larg e larg, u kuptua se Kryeministri po i kërkonte opozitës të bënte të vetën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, një vendim që Brukseli pritet ta marrë këtë vit për vendin tonë. Është normale, për të mos thënë e detyrueshme, që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë me opozitën dhe me gjithë faktorët institucionalë e shoqërorë për një ngjarje kaq të rëndësishme në rrugën e anëtarë- simit të Shqipërisë në BE.

Që t’i peshojë fjala, që të jetë i besueshëm dhe efektiv në këtë përçapje, mendoj se Kryeministri duhet të plotësojë minimalisht tre parakushte:

Në fillim, para se t’ua hedhë topin të tjerëve, duhet të flasë për detyrat e veta dhe të qeverisë që drejton. Kanë detyra të gjithë, por qeveria ka më shumë. Ajo e ka këmborën. Shumica e shqiptarëve të interesuar e dinë se Shqipëria duhet të përmbushë pesë prioritete për të përfituar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Këto prioritete i ka caktuar prej tre vjetësh i zoti i punës, BEja. Katër prej tyre- dhe këtu po përmend dy ndër më kryesoret, reformimin e administratës publike dhe luftën kundër korrupsionit e krimit- janë detyra ekskluzive të qeverisë. Në asamblenë e PS-së të ditës së shtunë, meqenëse u mor jo pak me temën e negociatave, zoti Rama kishte detyrimin të raportonte para partisë së tij dhe para shqiptarëve ku jemi me këto prioritete. Nuk foli fare. Pse? Shpjegimin e jep shprehja e njohur, “në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”. Gjendja është kaq e rëndë, sa nuk të lejon as të gënjesh apo të lustrosh. Korrupsioni dhe krimi me ortakëri qeveritare janë problemi më i madh që ka Shqipëria në sytë e partnerëve amerikanë dhe europianë. E theksonte edhe raporti i djeshëm vjetor i CIA-s. Që Shqipëria mund të humbasë çeljen e negociatave për shkak të korrupsionit të lartë na ka paralajmëruar në mënyrën e saj edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, zonja Vlahutin, dhjetorin e kaluar. Qeveria propagandistike ecën me “bëje o zot ëndërr të gomarit para ujkut”. Por kur të përplaset me të vërtetën, do t’i ketë hyrë sërish në borxh ëndrrës europiane të shqiptarëve, duke e vonuar për interesat dhe veset e saj.

Duke mos folur për detyrat e tyre, Kryeministri dhe jesmenët e tij bëhen plotësisht të pabesueshëm dhe qesharakë, kur lajthisin ta shndërrojnë mbledhjen e forumit të tyre partiak në një gjykatore të opozitës. A thua se nuk janë pushteti, por antiopozita në pushtet, një institucion që nuk e ka asnjë vend në botë.

Dhe ja ku vijmë te parakushti i dytë për suksesin e një përçapjeje gjithëpërfshirëse: Personi që bën thirrjen, duhet të jetë etik në komunikim. Edhe kur i di ndonjë të keqe kundërshtarit që do të ftojë, nuk ia përmend, nuk ia paketon si bajgë bashkë me ftesën. Se tjetri nuk ka se si të vijë pastaj. Vetëm Kryeministri i Shqipërisë i fton kundërshtarët të bashkëpunojnë duke i akuzuar. Është një mënyrë mjaft e suksesshme për të dështuar bashkëpunimin.

Parakushti i tretë: thirrja për opozitën dhe kreun e saj duhet të jetë e drejtpërdrejtë dhe konkrete. Kështu, majë më majë e degë më degë, nuk vlen. A kishte dhe a ka realisht zoti Rama një kërkesë konkrete për zotin Basha? Nuk e përjashtoj se mund ta ketë. Pse nuk e bën? Ka shumë arsye. Një arsye është kjo: një kërkesë konkrete do ta fuste diskutimin në rrjedhën e politikës, e cila operon në një fushë konceptesh, idesh, zgjidhjesh e zhvillimesh, që nuk lenë hapësirë për lojëra fjalësh, ndërkohë që zoti Rama dhe gjithë shkolla dhe kupola e partisë së tij janë të investuar në propagandë e diversion. Ata duan të duken burra të mirë, sikur duan gjithëpërfshirje, por gjithë hallin e kanë t’ia faturojnë opozitës që tani dështimin eventual për çeljen e negociatave. “Është e paimagjinueshme”, tha Rama, “që për të na penguar, ata që duhet të marrin vendimin, ta gjejnë pengesën brenda Shqipërisë dhe ta gjejnë te qëndrimi krejtësisht i papranueshëm i opozitës dhe tek ato shfaqjet e paimagjinueshme për botën normale demokratike europiane, me fishekzjarrë stadiumi dhe me çizme, që përdoren si sende të forta në luftën politike.” Ideja është kjo: Shqipëria rrezikon negociatat sepse ka gjuajtur me çizme Monika dhe kanë ndezur fishekzjarrë stadiumi disa deputetë të PDsë! O, Zot! Askush nuk ia mohon Ramës të drejtën t’u përvishet me gjithë talentin e tij çizmes dhe fishekzjarrëve. Ka edhe opozitarë, që kanë rezerva për gjestet që kalojnë në eksese. Por të predikosh rrezikimin e negociatave nga çizmet e Monikës apo fishekzjarrët e Salianit, fjala vjen, kjo është demagogji e pastër. Është fyerje për prioritetet që ka caktuar BE. Le të ndezë ditë-natë opozita fishekzjarrë, le të hedhë një dyqan me çizme në drejtim të karriges së Kryeministrit, negociatat nuk ka forcë t’i ndalë nëse përmbushen pesë prioritetet. Sikurse nuk ka paqe qeveri-opozitë, që mund t’i çelë nëse nuk përmbushen.

Siç rrezikohet nga korrupsioni dhe krimi, çelja e negociatave mund të rrezikohet edhe nga vonesat eventuale në zbatimin e reformës në drejtësi. Këtu po që mund të ketë një propozim dhe një thirrje konkrete të Ramës për Bashën. Një thirrje për të rakorduar në komisionet parlamentare një kalendar konkret për ngritjen e organeve kushtetuese të reformës. Reagimi i Bashës në këtë rast nuk mund të jetë veçse pozitiv. Opozita po ngulmon për zbatimin e Reformës në Drejtësi ashtu siç është vendosur në kushtetutë. Opozita mund të bëhet vetë protagoniste e përshpejtimit.

Po a është kjo thirrja që nuk bëri Rama?

Nuk e dimë.

Në qoftë se është kjo, por nuk e bëri dot, do të duhet të themi, duke i huazuar fjalorin në këtë rast, se ka frikë nga thirrja e tij.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook




Kryemadhi: Më 27 janar harrojini flamurët politik, të protestojmë për Shqipërinë, do të jetë mëkat për këdo që…

Aksident në aksin Kavajë-Tiranë, makina përplas çiklisitin 67-vjeçar

Berisha përkujton Rugovën: Sot shqiptarët përkujtojnë 12 vjetorin e vdekjes së Presidentit legjendar të Kosovës

Me shpejtësi skëterrë në autostradë, mjeti përfundon në kanal (Detaje)

“Po nuk të pata unë, s’të ka askush”, ja mesazhi i fortë për vrasjen e Arielës

VIDEO+16/ Pamje të rënda nga ngjarja që tronditi mbarë opinionin, publikohen filmimet e vrasjes në Tiranë

Kush është infermieri 23-vjeçar nga Fieri që i mori jetën Arielës (Foto)

Denoncimi/ Çifti i avokatëve po zhvasin shqiptarët

Basha ngushëllime Jonuz Musliut: Humbje e madhe e një luftëtari të palodhur

Detaje/ Kush janë dy të rinjtë të qëlluar gjatë mesditës së sotme në Tiranë (Emrat)

Artikulli paraprakDENONCIMI/ “Shkova te urgjenca për të marrë ndihmë, por gjeta pastrueset”
Artikulli tjetërGaz Paja hedh në gjyq kompaninë e karburanteve, u kërkon 46,000 Euro. Ja arsyeja