Ballina Aktualitet Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”: 27 vjet-RD, një mision opozitar

Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”: 27 vjet-RD, një mision opozitar

Nga Bledi Kasmi

Në 5 Janarin 1991 askush nga ata që e themeluan “RD” nuk e kishte menduar se pas 27 vitesh ajo ditë do të kujtohej në një ceremoni si e sotmja këtu. Frroku, Preçi, Mentori, Mitro mund të kishin menduar më shumë Spaçin dhe persekutimin se sa kthimin e asaj dite në një shtëpi të lirisë së mendimit.

Nuk kujtojmë sot këtu thjesht dhe vetëm tirazhin e kësaj gazete që theu të gjitha rekordet historike në këto 27 vite dhe nuk do të mund të arrihen edhe në 27 vitet e ardhshme. Ajo që sot nderojmë këtu është institucioni i lirisë së shprehjes që u themelua atëherë dhe impakti që pati në shoqëri.

Kjo ditë nuk duhet kuptuar thjesht dhe vetëm si një ditëlindje e “RD”, por edhe si ditëlindja e ndarjes me çensurën.

5 Janari është një simbol jo vetëm i lirisë së shtypit, por edhe i guximit intelektual për t’u përballur me të keqen. Imagjinoni se çfarë ndryshimi do të kishte Shqipëria pa 8 Dhjetorin, 12 Dhjetorin, 5 Janarin dhe 20 Shkurtin e vitit 1991. Do të ishim të rrethuar sërish me telat me gjemba, duke u konsideruar si Kuba e Europës që hedh vallen në gojë të ujkut me lider global njëlloj si Koreja e Veriut.

Këto data janë ditët që ndryshuan historinë e Shqipërisë dhe mbeten simbole që duhen kujtuar, respektuar dhe mbrojtur si vlerat e vërteta të një shoqërie që në çdo kohë kanë nevojë të ridimensionohen.

Po aq sa janë shtuar armët në duart e gazetarëve sot, duke shfrytëzuar teknologjinë dhe rrjetet sociale po aq janë shtuar edhe mënyrat e kontrollit dhe keqpërdorimit të tyre. Vetëm në Kryeministri janë punësuar mbi 160 anonimë të paguar me paratë e takspaguesve që shërbejnë si një ushtri sharësish me pagesë në rrjetet sociale ndaj mendimit opozitar, pa llogaritur këtu shumë media të tjera online që sponsorizohen nga perandoria e krimit.

Beteja mediatike sot nuk është më vetëm në një plan, por është bërë shumplanëshe.

Në numrin e parë të gazetës në krye të saj kishte një postulat ku shkruhej se, “liria e gjithsecilit duhet të bëhet garante për lirinë e të gjithëve”. Sot pas 27 vitesh liritë e shqiptarëve po bien një e nga një bashkë me institucionet që do të duhet të ishin garante të atyre lirive të fituara.

Me 25 Qershor ka rënë e drejta e votës, e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. E drejta themelore që u fitua bashkë me pluralizmin. Sot nuk ka më zgjedhje, por ka vetëm zgjedhë dhe nga zgjedha kanë rënë thuajse të gjitha institucionet. Ka rënë legjislativi, ka rënë ekzekutivi, drejtësia është në grahmat e fundit, ndërsa pushteti i katërt është në një luftë për mbijetesë.

Diktatura e krimit ka mënyra më të sofistikuara nënshtrimi se diktatura ideologjike. Pa bërë shumë filozofi, ne si gazetarë do të duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit. A do pranojmë të poshtërohemi dhe nënshtrohemi, duke na quajtur kazanë, legen, injorant një Kryeministër me fjalor hajvani apo do të zgjedhim të bëjmë të njëjtën betejë sikurse bënë ata që themeluan “RD”, 27 vite më parë duke vendosur dinjitetin të parin?

Nuk janë ditë të mira për gazetarët sot në Shqipëri, por në kohë të vështira kanë lindur vizionarët. Ne kemi dy detyrime ndaj shoqërisë sot. E para është e vërteta dhe e dyta akoma më e vështirë është t’i japim zë shumicës së heshtur. Me 25 Qershor 78% e shqiptarëve zgjodhën të heshtnin.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook