Ballina Kuriozitet Lum Shqipëria për lumjanët…

Lum Shqipëria për lumjanët…

Nga Bledian Koka

Atëherë kur mendonim se ishim kthyer në dele, dhe beeelbëzonim nën zë, nën depresion social që është ulur këmbë kryq në mendjet e trazuara të një populli të marrë peng, është ngjallur edhe njëherë vetëdija.

Kam pritur gati një javë për të shkruar disa fjalë për protestën kundër xhelepit të Edi Ramës për llogari të koncesionarit, vetëm për të kuptuar sesa do të zgjaste çudia më e madhe që i ka ndodhur vendit në 5 vitet e fundit. Dhe ajo që më rezulton është se mallkimi “i 3 ditëshit” duke se nuk është më. Jo vetëm kaq.

Efekti i gurëve të asaj proteste janë kthyer në gurin që po zgjeron valët nga Kukësi deri Konispol. Sa më shumë Edi Rama bën sikur nuk lexon, aq më shumë shqiptarët më profile jo të rreme, me emër e me mbiemër, më zë e me figurë po ia numërojnë çdo ditë paudhësitë, njërën prej tyre sidomos. Atë që po i lë edhe pa bukë. Sa më shumë Edi Rama i shtyp e i vjedh, aq më shumë shqiptarët xhepshpuar e kuptojnë se me hajdutin ka vetëm një rrugë. T’ia bëjnë atij, ashtu si ia bënë lumjanët.

Dje banorët e Dukagjinit në Shkodër, u ndaluan që të shkonin drejt shtëpive të tyre vetëm sepse furgonat me të cilët udhëtonin, nuk ishin licencuar nga zyrat e korrupsionit klientelist-politik të drejtorisë së transportit të Shkodrës. Dhe për këtë u kishin kërkuar deri edhe kartat e identitetit nga policia, që një Zot e di se përse i shërbenin.

Për 4 orë, gati 50 burra e gra dhe mes tyre fëmijë, u mbajtën peng nga shteti vetëm sepse udhëtonin me strajcat me bukë me furgonë ‘jo-Rilindas’. 3 muaj pasi i izoloi bora e i harroi shteti, dukagjinasit u llahtarisin nga çmenduria e një pushteti, që tashmë kërkon t’i caktojë edhe mjetin me të cilin duhet të lëvizin.

LEXO EDHE:  Përloti botën, ja videoja e lopës që vrapon pas të vegjëlve të saj brenda në kafaz

Përtej situatës anakronike, dukagjinasit që i folën medias cituan modelin e lumjanëve të protestës në Kalimash si e vetmja mënyrë për t’ia shpjeguar Edi Ramës se kalit i ka hipur ashtu siç di ai…, mbrapsh! Vërtetë 13 burra e djem lumjanë janë ende në qelitë e komisariateve të Tiranës, por për aq sa vlen fjala të sigurtë të jenë se ajo që bënë ata atë të Shtunë të 31 Marsit, ka vlejtur shumë më shumë sesa vetëm për të treguar frustrimin e tyre e tonin bashkë, ndaj një padrejtësie që vlen më se një bankonotë 5 euroshe.

Protesta e Kalimashit, ka ringjallur sot një zinxhir mekanizmash me të cilat një shoqëri funksionon normalisht, nga ajo më e para, vetëdija që e keqja nuk duhet pranuar kollaj. Deri tek e fundit, që e keqja mund dhe duhet të luftohet, po ta dojë nevoja edhe me gurë. I kemi bërë këto gjëra sa herë s’kemi qenë dakord, sepse keqqeverisja në fjalë nuk mund të amnistohet me shprehjen “lë të biem dakord për të mos qenë dakord”.

Do të donim të ishim një vend demokratik në kuptimin e plotë të fjalës, por edhe pas 106 vitesh shtet mesa duket gatuam vetëm një shtet autokratik me risinë “oligarkik”. Por çdo gjë në kohën e vet. Sot është koha për të reaguar me të keqen që kemi përballë, dhe ajo që na mësuan lumjanët është se për momentin ka vetëm një rrugë, populli (jo si demon) në rrugë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook