Ballina OP-ED Rama-Basha, dramë romantike apo romancë dramatike?!

Rama-Basha, dramë romantike apo romancë dramatike?!

Nga Marsela Karapanco
Janari i 2017 ishte i ftohtë dhe i ashpër. Viruset e këtij të ftohti, nuk prekën vetëm njerëzit, por infektuan edhe politikën. Marrëdhënia e dy liderëve Rama-Basha erdhi në 2017 tërësisht e ngrirë dhe e distancuar. Jo vetëm për faktin se Basha kishte 6 vjet jashtë Parlamentit, por edhe sepse mosarritja e qëllimit, për zgjedhje të lira e të ndershme, me votim dhe numërim elektronik, bëri që opozita të dalë nga institucionet, dhe pas bojkotit parlamentar të disa ditëve, mori vendimin e madh, mbledhjen në sheshe.

Stacioni ishte te dera dhe dritaret e Kryeministrisë. Lulzim Basha nuk fshehu për asnjë moment mllefin dhe urrejtjen për qeverisjen Rama 1. Po aq shumë sa donte ta shkulte atë me rrënjë, aq donte edhe largimin një orë e më parë të kryeministrit.
Ditët e ftohta të shkurtit i lanë vendin marsit. Ndërsa akujt po shkrinin, komunikimet mes dy kundërshtarëve politikë vijonin të qëndronin të ngrira. Çadra vijonte të bënte hije në bulevard, në mbrojtje të parimeve demokratike sipas Partisë Demokratike. E teksa kalendari ndërronte fletët, nga fundi i prillit Rama-Basha filluan lojën hidh e prit. Mosgjetja e një gjuhe të përbashkët për të shtyrë zgjedhjet dhe krijimin e qeverisë teknike, pritej e përcillej me ftesa për takime. Për Ramën “kur dhe ku” ishin në dorë të Bashës, por ky i fundit, në dorën tjetër donte “kokën” e Edi Ramës.

Gjakrat në çadër herë pas here kujdesej personalisht kryesocilisti t’i ngrinte, teksa kalonte për karshillëk 5 metra larg çadrës.

Për të qetësuar situatën, përpos ndërkombëtarëve, ndërhyri edhe numri një i shtetit, Bujar Nishani. Mëngjesin e 3 majit në Presidencë mbërriti Rama, Basha, shoqëruar nga krerët e grupeve parlamentare. Në përfundim të takimit prej më shumë se dy orësh palët nuk kishin zgjidhur asgjë. Ndaj preferuan të heshtnin. Pasditen e ditës pasardhëse, në Presidencë nisi raundi i dytë i bisedimeve, këtë herë pa shoqërues.

Gjuha e urrejtjes që i kishte lënë vendin indiferentizmit për t’u takuar, ishte e hedhur pas krahëve. Protagonistëve kishte filluar t’i pëlqente ky rol. Fshehurazi e këmbenin nga një buzëqeshje, dhe përpara bliceve të aparatëve dhe mikrofonave të kamerave madje çudisnin si të interesuar edhe për familjarët e njëri-tjetrit.

Pas dy orësh, bashkë me tymin e zi, dolën dhe dy liderët e PS-PD, njeri pas tjetrit.

Pra, me pak fjalë, deri më 4 maj, Basha nuk e mbylli çadrën, ndërsa Rama nuk ndryshoi datën e zgjedhjeve të përgjithshme. Në media kishte ngulur këmbë se edhe zgjedhjet në Kavajë nuk do të zhvendoseshin. Ato do të mbaheshin më 7 maj, hynte po jo opozita.

Mirëpo, oshilacionet në horizont të marrëdhënies së komplikuar Basha-Rama, këtë të fundit e detyruan të mos mbante fjalën e dhënë. Me justifikimin për të shmangur përplasje, kavajasve u hoqi të drejtën e votës për të parin e qytetit, pasi Elvis Roshin e nxori jashtë dekriminalizimi.

Akt ky, që nuk mund të mos themi se i vinte pas qejfit kryedemokratit Basha, i cili kishte bërtitur për ditë të tëra se zgjedhjet në Kavajë nuk do të mbaheshin.

Pasi në tavoline ju lanë dy opsione, o merr o lër, për një paketë të rishikuar të David McAllister, publiku priste një përgjigje, cilado qofte ajo, pranuese ose refuzuese. Por në kulmin e debatit ku të gjithë bënin të shurdhrin, Partia Agrare Ambientaliste, thërriti një tryezë me të gjitha grupet parlamentare në Kryesine e Kuvendit, për të diskutuar mbi paketën e SHBA e BE. PS, e cila sipas Kodit Zgjedhor kishte çelur motorët e fushatës elektorale, kishte takim me gratë në Elbasan, për t’u kërkuar atyre votën në zgjedhjet e 18 qershorit.

Ndaj, pakkush priste që kryeministri Rama, gjysmë ore më pas, të vinte befas në Kryesinë e Kuvendit, e aq më pak të mendohej se do të gjente atje në këmbë kundërshtarin politik, të cilin e kishte lutur aq shumë e shumë herë të dilte nga çadra e të uleshin në bisedime. Momenti i shumëpritur, kishte trokitur. Edhe pse qëndroi i heshtur për disa çaste, vështrimi fliste vetë.

Nga prekja në sup, u duken shkëndijat e para. Shkëndija këto, që do të sillnin ndezjen e një zjarri të ri. Për ngjyrën e së cilit, na u desh të prisnim minuta e minuta të tëra. Nga salla ku bëhej mbledhja, dolën me radhë të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare rreth orës 22.00. Tymi ishte i zi, por diçka e madhe po ziente. Rama-Basha më në fund ishin vetëm.

Prozhektorët e skenës ishin drejtuar te ky binom. Kulisat e 200 minutave, u mbajtën sekret.

Por jo buzëqeshja që i ndriste në fytyre në orën 2 pas mesnate dhe shkëlqimin që i kishin veshur sytë.

Nga lufta e urrejtjes në paqen me dashuri. Edhe vetë i madhi Tolstoi do ta kishte zili një subjekt të tillë për librin e tij.

Rama u betua e përbetua se zgjedhjet e 18 qershorit, nuk prekeshin, dhe se Kushtetuta nuk do të shkelej për kapricot e një lideri që rri poshtë çadrës. Mirëpo, 200 minutat me Bashën në mesnatën mistike të 17-18 majit, po edhe orët e stërzgjatura të ngujimit në Pallatin e Kongreseve, ia kthyen mendjen, dhe zgjedhjet i çoi në një ditë me festen e shenjtë të besimtarëve myslimane, Bajramin, me 25 qershor, përmes formimit të një qeverie teknike. Së bashku me paketën “Big MaC”, u shkrua edhe një tjetër faqe e historisë politike post komuniste.

Palët nuk humbën shumë kohë. Rama ishte nxehur nga takimet e para elektorale, ndërsa Basha u hodh në sulm për të ndezur motorët. Me nxjerrjen e LSI jashtë loje, dhe sulmet vetëm në adresë të saj, lidhja Rama-Basha doli hapur në sytë e publikut. Fyerjet dhe akuzat u kthyen në fjalë përkëdhelëse dhe batuta. Kulmi idilik arriti në 30 ditët e fushatës.

25 qershori i plotësoi dëshirën Ramës, për të qenë i vetmi timonier i lokomotivës. Ndërsa Bashës i la shume vende të paplotësuara në Parlament, krahasuar me fushatën që udhëhoqi ish-lideri historik Sali Berisha. Bashkë me vapën e gushtit, bëri gati valixhet edhe vala e nxehtë e “dashurisë” mes dy udhëheqësve. Në legjislaturën e re, gjërat nisën mbrapsht. Basha, pas pushimeve, u kujtua se “18 maji” i famshëm, ishte prehur në paqe.

Por Ramës kjo ndarje e njëanshme, nuk i shkoi për shtat. Rama mesa duket nuk donte ta besonte se gjithçka kishte mbaruar, ndaj la derën gjysmë hapur.

Një javë më pas, Rama sërish shtriu dorën e bashkëpunimit, dorë e cila u refuzua nga opozita.
Për të tretën herë, Rama ndërroi taktikë. Refuzimit të përsëritur, iu përgjigj me përjashtim, përmes kreut të Kuvendit Gramoz Ruci.

Nga kjo javë e në vijim, Rama nisi sulmet frontale për krimin me Bashën. Çdo të enjte i njëjti skenar. Rama-Basha luanin lojën e preferuar, Gjigandi shkurtabiqi, ngrihu ulu, ulu ngrihu mbi 10 apo 15 herë.
Ish-deputeti socialist Samir Tahiri përplasi jo pak kundërshtarët politikë.

Më tej buxheti 2018 dhe ekonomia në pikiate sipas Bashes, solli kundërshti nga Rama.

Vijojmë te qëndrojmë te shifrat. Mos dalja e llogarive te kryedemokratit, beri qe salla te pushtohet nga ilariteti.

Dominimi i arenës politike tashmë kishte hyrë në ullinë e duhur. Protagonizmi ishte vetëm i tyre, duke lënë në hije edhe vetë Berishën, që me ndonjë tolerance nga ana e Bashës, mund të merrte fjalën përpara tij.

Në ditët e fundit të dhjetorit të ftohtë, Rama ngrohu zemrën! Bashës i lëshoi pe për shtyrjen e shkarkimit të kreut të KQZ.

Nga Brukseli Rama u duk edhe më i dashur, kur ftoi Bashen për një “18 maj” të dytë, me ndryshimin e vetëm të muajit, që do të ishte seanca e fundit parlamentare e dhjetorit. Në votim do të hidhej Kryeprokurori i ri i përkohshëm.

Nga seanca e fundit e dhjetorit, mësuam se kur tymi është i zi, nuk ka marrëveshje. Kur tymi është i bardhë, marrëveshja arrihet nga të dyja palët, por kur tymi është i kuq, marrëveshja është e njëanshme.
Përballe refuzimit protestues të opozitës, Rama nuk nxori asnjë fjalë të vetme. Në heshtjen që e kishte kapluar, as qerpiku nuk iu drodh kur në drejtim të tij fluturonin flakadanët tymues. Heshtjen e theu vetëm nga zyra e tij, në Kryeministri.

E kështu iku edhe një vit politik i nxehtë në mes të acarit, e i ftohtë pas vapës së gushtit. Me Ramën e Bashën, që luanin ping-pong.

Urrejtje, inate, irritomë, indiferentizëm, kompromis, pranim, bashkëjetesë, dashuri,xhelozi, distancë, krisje, tradhti, divorc, mëri, urrejtje, vdekje, rilindje, batuta, sharje. Nuk do te mjaftonin petalet e shumë luledeleve të tilla, që Rama-Basha të merrnin një përgjigje: “Më do apo s’më do”.
Ne i këputëm petalet e këtij viti politik. Të fundit po ja lëmë atyre në dorë t’i këpusin, pasi t’i bëjnë vetes pyetjen: duhen apo urrehen politikisht?!

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook