Ballina OP-ED “Si po i vret teknologjia shpirtrat e fëmijëve”

“Si po i vret teknologjia shpirtrat e fëmijëve”

Nga Miron Çako
Vajza ime 5 vjeçe m’u afrua dhe më tha: “Mami, dua edhe unë një celular siç e ka Klea, shoqja në kopsht!”. “Ta blen mami!” – i thashë vajzës, duke menduar se bëhej fjalë për një lodër. Të nesërmen, pasi çova vajzën në kopsht, kërkova të shihja celularin e Kleas, por u skandalizova kur pashë që në dorën e saj ishte një celular “iPhone”. Pyeta edukatoren se përse e lejonin këtë fëmijë të vinte me celular në kopsht. Ajo më tha: “Ah, ajo ashtu rri gjithë ditën, me atë në dorë. I kemi thënë edhe prindit të saj që nuk është mirë të rrijë me celular në kopsht, por ai na e ka prerë: Ia kam blerë unë. Ky është një kopsht privat. Unë paguaj lekët dhe nuk është puna juaj t’ia ndaloni”.

Kjo është një histori që ma tregoi një nënë e shqetësuar, sepse nuk dinte si t’ia largonte fëmijës së saj dëshirën për celular. Kjo histori e shumë të tjera si kjo nëpër kopshte dhe shkolla na tregojnë një paradoks dhe një problematikë me pasoja serioze: Mjetet elektronike të komunikimit (siç është edhe celulari), të keqpërdorura, po ndikojnë negativisht jo vetëm te të rriturit, duke i skllavëruar ata, por fatkeqësisht edhe te fëmijët, të cilët janë viktimat e imitimit të prindërve në një shoqëri të papërgjegjshme dhe snobe, ku celulari është bërë një status simbol dhe një mani edhe për fëmijët e adoleshentët, madje edhe në vendet me zhvillim social e kulturor.

Psh., sipas hulumtimeve të “C&R Research”, në SHBA zotërojnë një telefon celular 22% e fëmijëve të vegjël (6-9 vjeç), 60% e fëmijëve të moshës 10-14 vjeç dhe 84% e adoleshentëve (mosha 15-18 vjeç). Tani po zhvillohet marketingu për fëmijët më të vegjël me telefonat me ngjyra të këndshme dhe karakteristika të lehta për t’u përdorur. Rreth 90% e adoleshentëve që kanë një telefon celular dërgojnë tekste (mesazhe). Numri mesatar nga të dhënat e “Pew” është 30 tekste në ditë. Përveç kësaj, raporti i “Pew” tregon se 92% e adoleshentëve futen online çdo ditë. Pothuajse një në katër pretendon të jetë online “pothuajse vazhdimisht”.

Çdo teknologji komunikimi, siç është edhe celulari, për hir të së vërtetës është një shpikje e madhe për njerëzimin dhe mund të themi se ka zvogëluar botën, pasi njerëzit mund të komunikojnë nga çdo cep i saj për pak sekonda. Celulari si shpikje i atribuohet Martin Cooper-it, një nga inxhinierët më të mirë të shoqërisë “Motorola”. Cooper-i prezantoi projektin për herë të parë më 3 prill 1973. Vetëm pas 10 vite përpjekjesh, projekti i celularit të parë arriti të zhvillohej deri në atë pikë sa të dilte në treg. Celulari i parë doli në shitje me një çmim rreth 4000 $. Sot numri i celularëve ka arritur afërsisht në 4.77 miliardë në 2017, 4.93 miliardë në 2018 dhe në 2019 parashikohet 5.07 miliardë. Ky numër rritet në mënyrë progresive duke konkurruar me të gjitha pajisjet elektronike të komunikimit, me një fitim shumë të madh prej miliarda dollarësh për kompanitë e prodhimit dhe tregut.

Duhet të dimë se çdo objekt i prodhuar nga njerëzit, në vetvete nuk është as i mirë, as i keq; varet nga përdorimi i njeriut, nëse i jep vlerë pozitive apo negative, e bën të dobishëm apo të dëmshëm për veten. Edhe celulari, ky mjet i teknologjisë elektronike bëhet miku apo armiku ynë, në varësi të mënyrës se si ne e përdorim.

Por, që njeriu të arrijë të përdorë një objekt në interesin e tij, në fillim i duhet të njohë paraprakisht si të mirat, ashtu edhe rreziqet, prandaj i duhet një aftësi e mjaftueshme ekzaminuese dhe arsyetuese. Kjo aftësi e të arsyetuarit te njeriu ka lidhje me formimin e plotë të trurit, një proces i cili fillon në fëmijërinë e hershme dhe vazhdon gjatë adoleshencës dhe përtej saj, në varësi të mënyrës se si ne rritemi. Prandaj jo çdo objekt apo mjet mund të lihet në përdorimin e këtyre moshave të paformuara dhe në aftësitë e tyre arsyetuese. Për shembull, që dikush të ngasë një makinë, atij i duhet leje drejtimi, respektivisht: për kategorinë A, mbi 16 vjeç dhe për kategorinë B, mbi 18 vjeç. Sipas psikologëve, mjekëve, pediatërve e shkencëtarëve që janë marrë me studimin se si ndikon celulari në moshat fëmijërore edhe adoleshente, fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk duhet të përdorin celularin dhe arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet.

LEXO EDHE:  iPhone 8 Plus, detajet e super kamerës që duhet ti dini

Përdorimi i celularit ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijës sonë. Truri paraqet një interes të veçantë për ne, pasi shumë zhvillime të rëndësishme ndodhin në trurin njerëzor në një periudhë tepër të shkurtër kohore, gjatë periudhës së fëmijërisë. Këto vite të hershme janë një pjesë kritike e zhvillimit njerëzor dhe specifikisht periudha kur fëmija mëson aftësi të pafundme dhe thith sasi të madhe informacioni, që do t’i nevojitet për të funksionuar gjatë gjithë jetës së tij. Prandaj, edhe informacioni që ai merr nëpërmjet shqisave si një ushqim mendor, të cilin e përpunon truri dhe e depoziton në memorie duhet të jetë sa më i monitoruar nga prindërit, ashtu si bëhet kujdes edhe me ushqimin biologjik, që të jetë sa më i shëndetshëm për rritjen e trupit.

Valët e celularit ndikojnë negativisht në hemisferat e trurit dhe në sistemin nervor që te embrioni i fetusit, i cili zhvillohet brenda placentës. Kanë konstatuar se fëmijë që lindin nga nënat që përdorin shumë celularë gjatë kohës së shtatzënisë, lindin hiperaktiv.

Në trurin që tek fëmijët është në zhvillim e sipër dhe tek adoleshentët duke u zmadhuar edhe riformuar; përdorimi i celularit ndikon në formimin jo të mirë të tij dhe të aftësive mendore. Psh., celulari ndikon në humbjen e përqendrimit dhe kujtesës në aftësitë për të kuptuar, rrit pagjumësinë sepse lundrojnë në celular gjatë natës dhe kjo ndikon në shqetësimet gjatë gjumit. Ndikon në mësimin. Një studim në Britani zbuloi se shkollat që ndaluan celularët kanë rezultate më të mira akademike. Celulari krijon probleme sociale, i bënë fëmijët asocialë, sepse stimulon vetminë dhe lidh shoqëri virtuale, duke iu shmangur asaj reale. Studimi që prezantohet nga “Pediatric Academic Societies Meeting” në San Francisco thotë se një fëmijë që shpenzon mesatarisht 30 minuta në ditë para ekraneve të vegjël, rrit rrezikun për vonesa në të folur me 50%. Dëmton shikimin dhe çon deri në shtrembërimin e tij (strabizëm), sepse në shqisat e tyre, siç është edhe syri, nuk janë instaluar akoma mekanizmat mbrojtës.

Sot po vihen re probleme të mëdha mendore dhe sociale tek brezi i ri, kjo të kujton parashikimin profetik nga fizikanti i madh Albert Ajnshtajni (1879- 1955): “Kam frikë nga dita që teknologjia do të tejkalojë ndërveprimin tonë njerëzor. Bota do të ketë një brez idiotësh”.

Por, valët elektromagnetike që transmetojnë celularët ndikojnë në vdekjen e qelizave dhe parandalojnë ripërtëritjen e tyre. Kjo gjë përbën një risk për sëmundjen e kancerit në tru. Fëmijët nën moshën 15 vjeç, që përdorin celular 30 minuta në ditë janë 2-3 herë më të riskuar për shfaqjen e kancerit.

Përveç këtyre dëmtimeve në shëndetin mendor dhe fizik të fëmijës, përdorimi i celularit në këto mosha pa imunitet moral shkakton dhe një dëm akoma më të madh: ai shkatërron moralin dhe vret botën shpirtërore të tyre.

Fëmija është një qenie njerëzore me një botë shpirtërore delikate dhe jo plotësisht të formuar për të dalluar të mirën nga e keqja, të moralshmen nga e pamoralshmja, ashtu siç thotë fjala e urtë “marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës” (Fl. 22:15). Që fëmija të mos shkatërrohet moralisht nga ajo që shikon dhe dëgjon në të përditshmen e tij të vrullshme, duhet patjetër të jetë nën mbikëqyrje: në fillim të prindërve, të cilët nuk kanë vetëm detyrë t’i lindin e ushqejnë, por edhe t’i edukojnë ata, si edhe të edukatorëve, mësuesve e shoqërisë.

LEXO EDHE:  Vjen lajmi i mirë për qytetarët e Tepelenës, ja segmentet që do të lidhë projekti i ri rrugor

Bota shpirtërore e fëmijëve është e butë si një plastelinë që mund t’i japësh formë si të duash, prandaj dikush ka thënë “jepma fëmijën tënd deri në moshën 7 vjeç dhe ai fëmijë do të jetë përjetë i imi”. Deri në këtë moshë, fëmijët marrin shumë informacione që u mbeten për gjithë jetën në subkoshiencë, të cilat formojnë botëkuptimin e tyre për botën që i rrethon. Nëpërmjet shqisës së shikimit njeriu merr 80% të informacionit. Prandaj, televizori, kompjuteri dhe celulari ‘smartfhone’, si mjete elektronike informuese dhe komunikuese, ndikojnë jashtëzakonisht shumë në moshën e tyre. T’i japësh një fëmije në dorë një celular, i cili është programuar për të rriturit, është sikur i jep një bombë pa siguresë, me të cilën mund të vrasë veten. Ajo që kjo bombë vret është më e keqe se dëmtimi i gjymtyrëve, pasi vret botën shpirtërore, që përbëhet nga mendimet, ndjenjat, dëshirat, kujtesa, vullneti.

Përgjithësisht atë çfarë njeriu shikon, kërkon edhe ta bëjë. Mendo sa më i tunduar është një fëmijë dhe një adoleshent, të cilët janë kureshtarë dhe me shpirt të theksuar aventure. Edhe kjo vërtetohet shumë lehtë, psh: Po të bisedosh me një fëmijë apo adoleshent që ka nga prindërit liri të plotë të përdorimit të televizorit, kompjuterit apo celularit ku marrin informacione të ekspozuar ndaj faqeve të internetit në ‘smartphone’, të cilat kanë përmbajtje dhune, seksi etj., që janë të papërshtatshme për moshën e tyre, vihet re se ata kanë një frymë rebele dhe reagojnë si të rriturit, mendojnë si ata, përpiqen të imitojnë jetën e të rriturve me të gjitha gabimet dhe veset e tyre, që fatkeqësisht kanë hapësirë të gjerë në rrjetet sociale të aplikueshme edhe në celularët ‘smartfhone’.

Por, përveç kësaj, fëmijët që zotërojnë një celular privat janë më të rrezikuar nga ngacmimi kibernetik, bëhen shpesh viktima të njerëzve dashakeqë, trafikantë, maniakë, demoniakë, të cilët nëpërmjet komunikimit elektronik kontrollojnë dhe shkatërrojnë jetën e shumë fëmijëve dhe adoleshentëve (si psh. me lojën famëkeqe dhe vrastare “Balena Blu”, që vetëm në Rusi çoi në vetëvrasje 157 viktima fëmijë).

Kuptohet, nuk po bëjmë propagandë kundër celularit si pajisje e dobishme elektronike komunikimi, por për keqpërdorimin e tij të gabuar nga fëmijët edhe adoleshentët dhe sidomos për celularët që kanë të instaluar programe të internetit, i cili në shumëllojshmërinë e informacioneve shpesh negative, përbën rrezikshmëri të lartë dhe shkatërrim moral, shpirtëror sidomos tek fëmijët, adoleshentët pa imunitet psikologjik. Prandaj dikush e ka quajtur internetin “ndotja më e madhe e kohës”.

Prindërit duhet të kenë kujdes, “sepse ç’do të mbjellin, edhe do të korrin”. Sot flitet vetëm për “liri” pa limit për çdo moshë, por liri në konceptin të vërtet të fjalës nuk do të thotë të bësh ç’të duash, por të bësh atë që është e mirë për ty, ndryshe ti nuk je i lirë, por skllav i pasionit nga egoja, padija dhe opinioni i të tjerëve dhe kjo me shumë pasoja për ata që nuk e kufizojnë, por e shpërdorojnë lirinë e tyre, aq më tepër fëmija dhe adoleshenti që nuk e kanë të formuar plotësisht kontrollin mbi veten, kanë nevojë për kufizim e edukim dhe nuk duhet t’i plotësohet çdo dëshirë (tek) e tyre. Në Shkrimin e Shenjtë lexojmë: “Edukoje djalin e ki kujdes për të, që të mos heqësh keq e të turpërohesh për shkak të tij” (Sirakidi 30:31).

LEXO EDHE:  Do e falnit?! Këto janë 3 gjërat që ndryshojnë në një çift pas tradhëtisë!

Një njeri i urtë i kohës sonë thoshte këto fjalë për kufizimin e nevojshëm të lirisë së fëmijëve dhe adoleshentëve: “E shihni si e kufizojmë lirinë e fëmijës së vogël: Embrioni është i kufizuar për 9 muaj në barkun e nënës së tij. I sapolinduri vihet në krevatin e tij, pas gjashtë muajsh e vendosim në kangjella e më vonë nuk e lemë vetëm përjashta që të mos goditet apo të rrëzohet nga ndonjë shkallë. Nëse e lëmë të lirë, ka për të rënë dhe do të vritet. Të gjitha këto janë të nevojshme që një fëmijë të ritet i sigurt. Duket sikur fëmijën e privojmë nga liria, por pa këto masa rrezikon të vritet qysh në momentin e parë. Por fëmijët nuk kuptojnë as kur janë të vegjël se kanë nevojë për t’u kufizuar, por as edhe kur rriten se kanë nevojë për një lloj tjetër kufizimi, për këtë arsye kërkojnë liri. Çfarë lirie është kjo? Liri për t’i sakatuar? Me këtë lloj lirie përfundojnë në shkatërrim! (Shën Pais Agjoriti 1924-1994).

Zoti përkujdeset për fëmijët, sepse janë të pafajshëm dhe shpesh viktima të prindërve të papërgjegjshëm dhe të të rriturve që i keqpërdorin për shkak të papjekurisë së moshës së tyre. Në krishterim besohet fort se Zoti jo vetëm është bashkëpunëtori me prindërit për krijimin dhe lindjen e një fëmijë, por Zoti u bë vetë fëmijë, Biri i Perëndisë – Biri i Njeriut në personin e Jisu Krishtit. Ai u shfaq fëmijë e adoleshent për t’u dhënë rëndësinë dhe shenjtërinë këtyre moshave dhe nevojës së tyre për liri të kufizuar, duke lënë shembullin e tij unikal që edhe pse Perëndi, Ai, si njeri ishte i bindur ndaj prindërve: nënës së tij, Virgjëreshës Mari dhe kujdestarit Josif. “Dhe ai zbriti bashkë me ta, erdhi në Nazaret dhe u bindej atyre” (Luka 2: 52).

Prandaj, në qoftë se i doni vërtet fëmijët tuaj, mësojini që të binden dhe mos ua plotësoni çdo dëshirë, si: të kenë një celular privat apo akses të lirë në internet, rrjete sociale, etj. Derisa të mbushin moshën e duhur, mbajini larg celularëve e çdo gjëje elektronike që dëmton shpirtin, trurin, mendjen e shëndetin. Me neglizhencën tuaj, tolerancën, dobësinë apo me egon tuaj që t’i dalloni fëmijët nga të tjerët duke iu blerë celular të modelit të fundit, veproni shumë gabim, sepse duke i dhënë fëmijës suaj “gur në vend të bukës” dhe “gjarpër në vend të peshkut” tregoni fatkeqësisht se si prindër keni rënë më poshtë se instinkti shtazor i kafshëve, të cilat me instinktin dhe përvojën e tyre i ruajnë edhe mësojnë këlyshët se si të ruhen nga rreziqet për jetën.

Këta prindër shpejt do të shijojnë frytin e hidhur të farës së keqe, të cilën e mbollën me pakujdesi në shpirtin fëmijës së tyre, duke u plotësuar çdo dëshirë, pavarësisht pasojave që ato kanë, dhe mbi të gjitha, do të japin llogari para Zotit që është shumë i ashpër me ata prindër apo të rritur që skandalizojnë me fjalët dhe veprimet e tyre fëmijët: “Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre fëmijëve të vegjël që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për të t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të zhytet në thellësi të detit” (Mateu 18:6).

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit pranë Kryepiskopatës KOASH, Tiranë

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook