Fatkeqësi për shkak të orteqeve në alpet italiane.Tre skiatorë mbeten të vdekur në luginën Schnal në Tirolin e Jugut. Bëhet fjalë për një grua 25 vjeçare dhe dy vajza 7 vjeçare gjermane.

Gruaja dhe njëra prej vajzave ishin nënë e bijë, ndërsa vajza tjetër ishte së bashku me familjen e saj duke pushuar në alpe kur u kapën në befasi nga masat e mëdha të dëborës. Babai dhe vëllai i saj 11 vjeçar u plagosën gjatë ortekut dhe po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Meranos.Edhe Ministria e Jashtme gjermane ka konfirmuar se viktimat ishin shtetase gjermane dhe ka bërë të ditur edhe identitetin e tyre.

Sipas radio RAI e Tirolit Jugor orteku ishte gjigant afro 200 metra i gjerë dhe 1 kilometër i gjatë. Orteku ndodhi në 3 mijë metra lartësi në pjesën e sipërme të pistës së skive. Disa helikopterë morën pjesë në operacionet e kërkim shpëtimit edhe nga Austria fqinjë, por në momentin e fatkeqësisë ka patur erë të fortë çka ka vështirësuar operacionet e kërkim shpëtimit. Ajo që e ka çliruar ortekun ka qënë një rritje e papritur e menjëhershme e temperaturës çka ka bërë që masat e dëborës të shkëputen dhe të befasojnë skiatorët.

Edhe mëngjesin e së shtunës pista ishte kontrolluar dhe ekspertët e kishin deklaruar për të sigurt, por ndryshimet e menjëhershme të kushteve klimaterike në 3 mijë metra mbi nivelin e detit bënë që të ndodhte fatkeqësia. Drejtuesit e pistës gjithsesi nuk përjashtojnë se orteku mund të jetë shkaktuar nga skiatorë të papërgjegjshëm që bëjnë ski jashtë pistave. Ende nuk dihet nëse nën masat e mëdha të dëborës ndodhen të tjerë persona. Edhe në Zvicër mbeti të shtunën një tjetër skiator gjerman i plagosur rëndë. 55 vjeçari u shpëtua nga djali i tij dhe pajisjet e lokalizimit nën dëborë që kishte me vete, por ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën./rtsh