Edi Paloka, nënkryetari i PD-së ka reaguar në lidhje me protestën e sotme ku ka publikuar foton e një shtetasi.

Sipas tij personi në foto është Gjergj Çuni, i cili shihet që është shtrirë në tokë. Ky siç thotë ish-deputeti është armiku i qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

STATUSI I PLOTË I PALOKËS
“Zotëria në foto është Gjergj Cuni, është invalid. Sot me një dorë mbështetej në patericë dhe në tjetrën mbante flamurin Kombëtar dhe atë të BE.

Vjen në çdo protestë sepse kjo qeveri i ka hequr dhe pensionin e invaliditetit, bukën e gojës. Por për ketë qeveri dhe Edvin Ramën ky është armiku.

Nuk mund të jetë ndryshe. Për një qeveri që mbështet dhe mbështetet tek krimi dhe oligarkët “armiku” janë qytetarët që nuk çojnë dot bukë në shtëpi tek fëmijët e tyre. Prandaj nuk duhet të lejojmë më që Rama të tërheqë zvarrë qytetarët. Ka ardhur koha që qytetarët ta heqin zvarrë ketë kryeministër bashkë me plehrat e tjera rreth tij.