Pas fjalimit hyrës të kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, fjalën e ka marrë kreu i partisë Republikane Fatmir Mediu i cili  tha se sot në Shqipëri Kuvendi ka rënë, dhe deputetët e mazhorancës sot i përgjigjen vetëm Ramës dhe jo interesave të shqiptarëve.

“Përpara 4 ditësh Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën më të turpshme të tranzicionit shqiptar. Mazhoranca ka kapitulluar përballë qeverisë dhe kushtetuta nuk ka më vlerë. Kryeministri ju ka dhënë vetëm një detyrë të ulni dhe të ngrini dorën me urdhër të tij, kryeministri për ju është gjithçka, ndërsa interesat e shqiptarëve nuk kanë asnjë interes për ju. Sot ai është edhe kryeministër edhe ministër i Jashtëm, as më shumë e as më pak si Enver Hoxha në kohën e tij. Qeverisja është kthyer në një kopje të shëmtuar të sistemit Putinian. Vendi po shkon keq e mos më keq. Nga ky pushtet do të ketë më shumë korrupsion dhe varfëri, më shumë konflikt mes shqiptarëve dhe më pak liri. Çfarë shteti po ndërtojmë, le ti bëjmë pyetjen vetes, A kontrollon sot qeveria gjithçka? Si ta kuptojmë që jetojmë në një nga regjimet më të këqija, periudhën më të errët ku zgjedhjet i përcakton krimi”, deklaroi Fatmir Mediu gjatë fjalës së tij në sallën e Kuvendit.