Një partiturë origjinale me minuete e shkruar nga Wolfgang Amadeus Mozart në moshën 16-vjeçare dhe pjesë e koleksionit të Stefan Zweig, u shit sot në ankand për 372 500 euro, gati sa dyfishi i çmimit të vlerësuar.

Dorëshkrimi, që përbëhet nga dy minuete të plota për orkestër, kompozuar në Salzbourg në vitin 1772 dhe që ka shkrimin me dorë të Mozart-it “Finis”, ishte vlerësuar midis 150 000 e 200 000 euro.

“Është variant i vetëm i partiturës. Mozart ka shkruar gjithnjë variante të para, pa i ripërpunuar ato më vonë, ndryshe nga Beet’hoven, i cili i rishikonte vazhdimisht kompozimet e tij”, u shpreh gjatë ankandit Simon Maguire, specialist dorëshkrimesh muzikore.

Dorëshkrimi, i cili nuk është botuar kurrë, përmban disa korrigjime dhe ndryshime të vogla, një a dy prej të cilave janë bërë nga babai i Mozart-it, Leopoldi.