Pas 24 orësh ndjekje kapet në Mal të Zi gomonia e pikasur dje në Karaburun, që dyshohet se transportonte drogë.

Në bord të gomones ishin 3 malazezë që janë arrestuar.

Gomonia kishte ardhur në Vlorë për t’u ngarkuar me drogë, por u pikas nga autoritetet.

Ndjekja në det

Delta Forcë, Policia Kufitare dhe D.V.P. Vlorë gjatë kontrollit nga deti dhe toka në zonën e Karaburunit nisur nga informacionet e marra në rrugë operative se mund të ishte fshehur lëndë narkotike me qëllim trafikimi, rreth orës 13.50, kanë konstatuar një mjet lundrues që lëvizte me shpejtësi në drejtim të Mezo-kanalit, Sazan.

Menjëherë në ndjekje të mjetit lundrues janë vënë 3 mjete lundruese të Policisë Kufitare dhe të Delta Forcë.

Është kërkuar ndihma e anijes “Oriku” dhe e Helikopterit të FA-së. Gjithashtu është njoftuar GdF Durrës e Vlorë si dhe homologët Italianë.

Menjëherë është ngritur në fluturim një helikopter “COUGAR” i FA-së, i cili ka ndjekur në ujerat neutrale për rreth 1 orë gomonen që lëvizte me shpejtësi duke bërë manovra në det me qëllim ti shmangej ndjekjes së helikopterit.

Nga deti vijonte ndjekja nga anija “Oriku” dhe tre mjete lundrues të Policisë Kufitare dhe Delta Forcë.

Në veprim është futur menjëherë edhe GdF-ja në Shqipëri e Itali.

Është vënë në ndjekje edhe Policia malazeze.

Megjithatë, vetëm sot u bë i mundur ndalimi i gomones në ujërat malazeze.

LEXO EDHE:  Transportonte drogë nga Greqia drejt Shqipërisë, bie në pranga algjeriani

Nga pamjet filmike të realizuara nga helikopteri i FA në bordin e gomones dallohen tre persona dhe disa bidona plastikë, ndërsa pjesa tjetër e bordit ishte bosh.