Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të vendit për vitin 2019, në raportin e fundit të “Pasqyrës Ekonomike Globale, tetor 2019”. Tashmë fondi pret që ekonomia të rritet me 3%, nga 3.7% që ishte pritshmëria në raportin e prillit.

Ky është institucioni i dytë, pas Bankës Botërore që ka rishikuar në rënie pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë. Pak ditë më parë, Banka Botërore e çoi treguesin e saj në 2.9%, nga 3.6% që e kishte më parë.Rishikimi në ulje nga të dy institucionet, u bë pasi të dhënat e INSTAT për 6 muajt e parë të vitit treguan se rritja reale u përgjysmua, nga mbi 4% në gjashtëmujorin e parë 2018, në 2.2-2.3% në janar-qershor 2019, si rrjedhojë e efektit të rënies së prodhimit të energjisë, tkurrjes së ndërtimit nga mbarimi i projektit TAP dhe mbylljes së aktivitetit të lojërave të fatit.

 

Megjithatë, në afat të mesëm, FMN është më optimiste sesa Banka Botërore, duke parashikuar një rritje prej 4% në 2020 dhe 2024, nga 3.5% që është pritshmëria e Bankës Botërore.Shqipëria pritet që këtë vit të ketë ndër ritmet më të ulëta të zgjerimit ekonomik në rajon, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën (2.8%) dhe në të njëjtin nivel me Malin e Zi. Rekordin e mban Kosova me 4.2%, e ndjekur nga Serbia me 3.5%, Maqedonia e Veriut, me 3.2%.