“Unë nuk jam ushtar i askujt, as majtas, djathas, në Anadoll e gjetkë. Sot ne kemi një organizëm okult, ata që i kanë imponuar KMSH mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve, por edhe katapultimin e titullarit”.

Kështu u shpreh Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, pas shpalljes së kreut të ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili nuk i kurseu as akuzat për kreun e ri të zgjedhur, Bujar Spahiun.

Ndër të tjera në fjalën e tij për mediat Gurra përgënjeshtroi aludimet se ai mund të ishte përkrahur nga anëtarë të Partisë Socialiste.

Reagimi i plotë

“Kërkova shtyrjen e votimit për arsye të takimeve dhe ankesave të qytetarëve. U vërtetua se përkundër dëshirës time të zjarrtë për të të drejtuar një KMSH për shqiptarët sot jemi para një fakti të një kapje të institucionit. Më lejoni të flas me shqipen e Naim Frashërit. Kryetari i KMSH nuk mund të zgjidhet nga organizma okultë. U imponua një titullar që nuk ka bërë asgjë në komunitet. Humbje të tëra pronësie.

Në presionin e atëhershëm, tani iu imponua një titullar i cili në 5 vite jo vetëm ne por edhe ju keni pa asgjë në komunitet, humbje të tërë pronësish duke filluar nga qendra e Tiranës, duke përjashtuar myftininë Tiranë, pra pasoja për jetën dhe mbijetesën e shërbëtorëve të parë, hoxhallarët nga Tirana e në çdo myftini tjetër. Pas kësaj, kemi një faturim mbi KMSH të barrëve që nuk i takojnë, edhe ato pak të ardhura kanalizohen në mënyrë të paditur jashtë objektivave që ka komuniteti”,- deklaroi për mediat Ylli Gurra, menjëherë pas shpalljes së kreut të ri të KMSH-së.