Aeroporti “Nënë Tereza” dhe Porti i Durrësit presupozohen se janë dy vendet më të sigurta, pasi në të kundërt siguria kombëtare është në rrezik.

Ngjarjet e fundit, si grabitja e parave në pistën e aeroportit apo hyrja e sasisë rekord të kokainës përmes kontenierit të bananeve dhe miliona eurove gjatë transportit të makinave në Durrës, kanë vënë në pikëpyetje masat e sigurisë. Pas vendosjes së ushtrisë në Aeroportin e Rinasit për të garantuar sigurinë, tashmë po merren masa ekstra për sigurinë dhe në Portin e Durrësit.

Në prag të nisjes së sezonit turistik, Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale në Drejtorinë e Përgjithshme Detare, për të garantuar mbarëvajtjen e çështjeve të sigurisë në anijet dhe portet e hapura të Republikës së Shqipërisë, zhvilloi një testim sa i takon nivelit të sigurisë në ambientet e terminalit të pasagjerëve në Portin e Durrësit. Ushtrimi i sigurisë kishte për qëllim testimin e Planit të Sigurisë së Portit, gatishmërinë e Forcës së Sigurisë dhe bashkëveprimin e strukturave përkatëse ligjzbatuese në port.

Demonstrimi i ushtrimit testues u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Balluku tha se Porti i Durrësit është një port i certifikuar, që ka kaluar pa gjetje fazën e auditimit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se siguria në pikat kufitare është një nga arsyet pse qeveria po ndërmerr masa për të qenë sa më pranë kujdesit për qytetarët dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

“Jemi pak ditë para fillimit të sezonit dhe siguria e këtij porti, si porti ndërkombëtar i Republikës së Shqipërisë, është shumë e rëndësishme. Porti i Durrësit është një port i certifikuar, i cili ka kaluar pa gjetje fazën e auditimit dhe është vendosur që të auditohet vetëm një herë në dy vite.

Pa dyshim që siguria në pikat kyçe, nevralgjike të kufirit shqiptar, siç është porti dhe aeroportet apo pikat e tjera kufitare, janë një nga arsyet kryesore pse qeveria po ndërmerr masa për të qenë gjithmonë dhe më afër për sa i përket kujdesit që ne kemi për qytetarët, por dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare”, nënvizoi Balluku.

Drejtuesit portualë thanë se ushtrime të tilla testuese zhvillohen vazhdimisht dhe se të gjitha agjencitë ligjzbatuese kanë detyra specifike sipas planit të sigurisë së portit. “Ne përzgjedhim një nga ushtrimet, e monitorojmë dhe drej tojmë në bashkëpunim me drejtuesin e portin përkatës. Ky është i planifikuar në planin vjetor që ne kemi bërë dhe normalisht, ky është një skenar i mirëpërgatitur. Në njëfarë mënyre, të gjitha agjencitë ligjzbatuese kanë detyra specifike sipas planit të sigurisë së portit”, u shpreh Hysni Aruçi, drejtor i Sigurisë Portuale.

Gjatë testimit u inskenua situata e një çante të braktisur në sallën e imbarkimit të pasagjerëve në terminalin e pasagjerëve të trageteve.