Përveç karrierës së suksesshme nga viti 1985 deri në 2005-n, Mike Tyson njihet edhe për dashurinë e tij të veçantë për kafshët ekzotike, e në mënyrë të veçantë për tigrat. Boksieri amerikan, i cili tani drejton një fermë kanabisi, kishte vendosur të blinte një tigër gjatë kohës që ishte në burg në vitin 1992.

Bëhet fjalë për tigreshën e bardhë Kenia, e cila u shndërrua në një anëtar familje për 53-vjeçarin.

Ai e mbajti Kenian për 16 vjet, ndërsa së fundmi boksieri zbuloi përse u detyrua të hiqte dorë nga kafsha.

Në një intervistë për GQ Sports, Tyson u shpreh: “Kam pasur një tigër të përkedhelur, emri i saj ishte Kenia. Ajo ishte rreth 250 kg. Unë kisha një dashuri të madhe për të, kam fjetur me Kenian dhe e mbaja në dhomën time. Ajo qëndroi me mua për 16 vjet. Por pasi u plak, unë duhet të shpëtoja prej saj, pasi gjendja e saj filloi të përkeqësohej. Ajo sulmoi dikë, duke i shqyer krahun.”