Gjimnazistët e gjimnazit të Tiranës “A. Z. Çajupi” , do të nisin vitin mësimor në ambiente të rikonstruktuara plotësisht.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se është bërë i mundur përfundimi në kohë rekord i punimeve në godinën e vjetër të shkollës, por edhe ndërtimit të palestrës së re, laboratorëve.

Veliaj: Qartazi është punuar gjatë gjithë kësaj stine. Edhe pse kishim planifikuar që punimet të zgjasnin një vit, pra nxënësit të hynin në shtator, lajmi i mirë është që ata do ta fillojnë mësimin në 7 janar. Tani shkolla ka ndriçim led, një palestër të re, një krah të ri me tre kate, pothuajse e bërë nga e para, tre terrene sportive, laboratorët e kompjuterëve, tualete, dhe gjithë sistemin e ngrohjes, të bërë nga e para. Tani, sigurisht pres që të dalin me rezultate të mira.

Kreu i bashkisë së Tiranës tha se përfundimi i punimeve në këtë shkollë do ti japë fund mësimit me dy turne në dy gjimnazet ku ishin zhvendosur nxënësit e “A. Z. Çajupit”.

Veliaj: Dua të falenderoj gjithë komunitetin e prindërve për mirëkuptimin. Me hapjen e shkollës së re lirohen edhe shkollat “Partizani” dhe “Eqerem Çabej”, që kanë qenë me dy turne, sepse aty shkonin nxënësit e “Çajupit”. Një nga shkollat model të Tiranës, por tani model jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies dhe përkushtimin e drejtoreshës, mësuesve, prindërve, nxënësve, por tani model edhe si infrastrukturë. Infrastruktura nuk është gjithçka. Ne kemi parë nxënës me 10-ta edhe në fshatrat më të thella të Tiranës. Megjithatë, infrastruktura është diçka. Kushtet komode në një nga gjimnazet lider të Tiranës, besoj se kanë ngritur standardin se çfarë do të thotë të bësh arsim në Tiranë.

Veliaj tha se pas “Çajupit” përfundon edhe rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali”.