Sistemi VAR është miratuar për përdorim edhe në kampionatin zviceran këtë sezon dhe shkak për polemikat e para rreth tij është bërë Taulant Xhaka. Mesfushori i Kombëtares, i cili njihet edhe për lojën e tij luftarake në çdo aksion, ka qenë protagonist i një momenti në ndeshjen e fundjavës që Bazel ka zhvilluar ndaj Servetes, ndaj të cilës skuadra e mesfushorit shqiptar fitoi me rezultatin 3-1.

Gjatë një momenti në pjesën e parë, mesfushori i Kombëtares është përfshirë në një duel force, ku ai dhe njëri prej kundërshtarëve, e kanë kaluar edhe masën e “normales”, duke bërë thuajse të njëjtën ndërhyrje të rrezikshme.

Kaq ka mjaftuar që njëri prej kundërshtarëve të Xhakës, ta kapë shqiptarin nga fanella në pjesën afër fytit. Në këtë moment, Xhaka i është kundërpërgjigjur teksa me dorën në fanellën e kundërshtarit, duket sikur afron dhe lëviz grushtin pranë mjekrës.

Pra një farë tentative për ta goditur kundërshtarin e tij. Për këtë moment, sistemi VAR i arbitrimit nuk ka ndërhyrë dhe nga gjyqtari i ndeshjes, faulli është dhënë në favor të mesfushoit të Kombëtares.

Kaq ka mjaftuar që në Zvicër të nisë menjëherë debati në lidhje me praninë e këtij sistemi, ndërkohë që nuk ka ndërhyrë. Një prej ish-arbitrave me famë në futbollin helvet, Luixhi Ponte e ka komentuar të gabuar vendimin e kryesorit të takimit, por duke hapur polemika teksa shpjegon se VAR ka vendosur saktë, edhe duke mos ndërhyrë.