TIRANË

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose shkalla e parë e vettingut është kthyer në makthin e gjyqtarëve e prokurorëve që prej më shumë se një viti presin konfirmimin ose jo në detyrë. Por sot dy gjyqtarë kanë marrë lajme të mira. Pas Daniela Shirkës, vettingun e ka kaluar edhe gjyqtari i Apelit të Tiranës Artur Kalaja.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 06.11.2019 për subjektin e rivlerësimit, z. Artur Kalaja, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 08.11.2019, vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Artur Kalaja, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Pas vendimit, gjyqtari Kalaja është takuar me të afërm të tij dhe duket i lehtësuar.

Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Pamela Qirko, znj. Alma Faskaj relatore, znj. Firdes Shuli anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Ndaj këtij vendimi, mund të ushtrohet ankimim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.