Një kompani kanadeze ka gjetur një mënyrë që të shndërrojë plastikën e landfilleve në karburant diesel dhe benzinë.

Teknologjia tashmë përdoret nga Sparta Group, kompania që qëndron pas projektit  pilot të njohur si Phoenix, për të furnizuar me karburante kamionët e kompanisë.

“Pesë tonë plastikë mund të shndërrohen në rreth 4.000 litra”, tha John O’Bireck, president i kompanisë Sparta Group që gjendet në qytezën Whitby në periferi të Torontos. “Dhe 4.000 litra mund të furnizojnë 10 automjetet tona çdo ditë duke udhëtuar 16 orë në ditë”.

Kamionët përdoren për të transportuar mbeturinat industriale. Teknologjia përdor temperatura të larta që shkaktojnë dekompozimin e plastikës, një proces që njihet si “pyrolysis”. Plastika ndahet në copa të vogla, futet në një enë hermetike dhe nxehet pa oksigjen, në mënyrë që të mos digjet derisa dekompozohet, thotë O’Bireck. Plastikat e përdorura janë ato që nuk mund të riciklohen.

 

Në provincën Nova Scotia, një tjetër projekt përdor teknologji të ngjashme për të shndërruar plastikën në karburant. Kompania Sustain Technologies Inc. do të përdorë deri në 50,000 tonë mbeturina komunale në vit, kur të funksionojë me kapacitet të plotë.