Lufta e dosjeve është në pikun e saj. Dosje për këtë, apo për atë protagonist politik, për këtë aferë, apo atë tjetrën.

Nga Luan Kurti

Lufta e dosjeve është në pikun e saj. Dosje për këtë, apo për atë protagonist politik, për këtë aferë, apo atë tjetrën. Me shifra astronomike, mbresëlënëse. Nga mënyra se si po zhvillohet “beteja”, të krijohet përshtypja se kërkohet më tepër sensacioni, sugjestionimi i publikut. Dhe kjo për ta delegjitimuar Vetingun, si handikap dhe farsë të qeverisë dhe ndërkombëtarëve. Për më tepër kur po shefi i SHISH-it, Visho Ajazi Lika dha dorëheqjen dhe e la Qytetarin Dixhital në pikiatë. Madje edhe për këtë të fundit u përdorën teori konspiracioni, se e kishin detyruar të dorëhiqej për shkak të disa dosjeve që ruante për mazhorancën dhe kryeministrin. Gati na krijuan panikun se po përgatitej një komplot i madh dhe jeta e Vishos ishte në rrezik. Kur doli e vërteta se ishte propozuar për një detyrë tjetër pranë NATO-s, sërish nuk ju ndanë versionit të parë, me të vetmin ndryshim se nuk ja nominuan, apo shqipëruan emrin “bukëshkelësit!” në podiumin e deklaratave, por vetëm llagapin zyrtar. Meraku për dosjet është kthyer në nja mani dhe është bërë lëndë e parë në komunikimet reale dhe verbale. Por jo për dosjet e vjetra, ku e ku më pikante, por për të rejat. Termat referues janë kanabisi, eurot, votat e blera, të vjedhura dhe ndonjë ngjyrim garniture i karakterit intim, apo stilit të veshjes. Ah, po edhe Sorosi! Deklaratat ngjajnë me recitimet, ku ligjëruesit kërkojnë vëmendjen e publikut të lodhur. Dosje, dosje, dosje! Dosje në mëngjes, dosje në drekë, dosje në darkë! Menu për shqiptarë që jua servirin me zell në vend të ushqimit të përditshëm. Një mal me dosje opozitare! Dhe këtu nuk mund të fshihet meraku edhe për ndërrimin e kryeprokurorit, Llalla! I kritikuari se ka lënë në harresë ose ka mbyllur dosje apriori. Mos vallë në momentin kur njoftohet se këtij mund t’i bëjnë rezymenë e së shkuarës, dosjet për kundërshtarët po shiten me çmime ankandi? Thjesht një supozim, sintezë e situatës. Në versionin “kush më ngul një gozhdë mua, do t’i derdh një mal me zift!”. Duke shpresuar se Llalla nuk do bëhet si Liko, se është me dy “L”. Kishim dëgjuar për Luftën e Yjeve, por kurrë për Luftën e Dosjeve. Dhe për më tepër kur kemi ngecur tek zbardhja e dosjeve të komunizmit. Ose fashikujt e zhdukur po plotësohen me të rinj që kanë ndërruar zakonin dhe kultivojnë kanabis. Prezumimi i pafajësisë është hedhur në kosh të plehrave si i painteres. Ndërkohë përfaqësuesi i Lëvizjes për Ringritjen e PD-së, zoti Patozi e akuzon Lulzim Bashën jo aq për shkeljen e statutit të partisë, por për vullnet të mbrapshtë politik. Ma merr mendja se në çdo kohë që t’u lipset një dosje me zahire për Bashën e kanë gati. Jo ato që ka prokuroria (ato janë atribut i leksikut të mazhorancës), por të llojit, si u katapultua në PD, si e bëri listën me deputetë, sa palë zgjedhje ka humbur, Marrëveshjen e 18 majit që shpuri ujë në mullirin e armikut, etj, etj. Madje Patozi shprehu frikën se ky është i aftë të shkel çdo statut, nuk njeh rregulla loje! Po na krijohet përshtypja se çdo njëri këtu ka nga një dosje për të shantazhuar të tjerët. Gjatë gjithë kohës punojnë, mendojnë dhe paguhen vetëm për këtë. Uikiliksi shqiptar diskripton të qena dhe të paqena, me një stil unik. Në raport me ndërkombëtarët qëllimi është i qartë, “nëse ne jemi të korruptuar, po kaq janë edhe këta të krahut tjetër. Peshq të mëdhenj lypni, peshq të mëdhenj po jua japim! O bjeruni pa përjashtim o bëni amnisti!” Ndërkohë në këtë turbullirë përflitet se po projektohet një Pol i tretë politik. Nuk dihet se sa mund të ndikojë problemi i dosjeve tek ky grupim, a do ketë kritere lustracioni? Rezonanca më e madhe që ka krijuar ky lloj pokeri i dosjeve, është se Shqipëria gjithnjë e më shumë perceptohet nga të huajt si një vend aspak normal, si një geto ballkanike, si një dosje e madhe për Europën. 

LEXO EDHE:  Vettingu "ndez" motorrët, Donald Lu: Sot është ditë shprese për Shqipërinë

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook