Ballina Kryesore Mblidhet sot për herë të parë qeveria “Rama 2”, zbulohen vendimet që...

Mblidhet sot për herë të parë qeveria “Rama 2”, zbulohen vendimet që do miratohen

Qeveria e re “Rama 2” nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama do të mblidhet sot për herë të parë pas krijimit të saj dhe dekretimit nga Presidenti. Mbledhja do të mbahet pas ceremonisë së betimit tek Presidenti i Republikës Ilir Meta në orën 17:00.

“DuaLajm.com” ka mësuar se në mbledhjen e parë të qeverisë janë 10 pika në rendin e ditës, ndërkohë që siç është bërë më herët e ditur nga vetë kryeministri, Edi Rama vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”.

Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit pritet të ngrihet komisioni i posaçëm shtetëror për organizimin e veprimtarive në kuadër të vitit të Skënderbeut.

Vendimi tjetër ka të bëjë me certifikatat, që do të sjellë lehtësim të burokracive administrative.

Gjithashtu burime bëjnë të ditur për “DuaLajm.com” se pritet një tjetër vendim për godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve.

Një vendim tjetër që pritet sot nga Këshillimi i Ministrave ka të bëjë me një fond ndihme ndaj SHBA për të prekurit nga uragani ‘Irma’.

Miratimi i rregullave për përfitim të shërbimeve publike elektronike dhe miratimi i procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve të komisionit të prokurimit publik do të jenë dy vendime të tjera të qeverisë “Rama 2”.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme do të ketë një VKM edhe për dhënien e dy godinave për strukturat e organeve të reja të vettingut.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook