Ballina Kryesore Meta : LSI, e hapur për aleanca

Meta : LSI, e hapur për aleanca

 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar se të gjithë duhet të jenë të kënaqur për situatën e re në të cilën ndodhet vendi.

“Nuk është një situatë perfekte por le të jetë një mësim që të parandalohen kriza të tilla në të ardhmen. Nëse ka një forcë që s’ka arsye të jetë e trishtuar për këtë marrëveshje, ajo është LSI, që ka punuar gjithmonë për dialog e konsensus dhe ka qenë e qartë kur ka thënë se duhet një qeveri besimi për zgjedhje”, ka deklaruar Meta.

Dhe kjo, sipas tij, ka ndodhur. “Nuk u bë një qeveri teknike pa Edi Ramën siç donte PD dhe nuk u bë një qeveri politike siç donte mazhoranca”, ka thënë Meta, duke shtuar se, LSI është ajo që ka sakrifikuar më pak nga marrëveshja sepse ka investuar për të ardhmen e Shqipërisë.

“Më shumë kanë sakrifikuar PS dhe PD. Të gjitha këto zhvillime janë pozitive dhe tani mund të vazhdojmë zbatimin e konsensusit”, ka vijuar Meta.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave lidhur me koalicionet, presidenti i zgjedhur është shprehur se, “krahët e LSI janë të hapur për të gjithë”, ndërsa ka rikonfirmuar ambicjen që partia në fjalë të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Mjafton t’ju them në mënyrë shumë të qartë se, me rezultatet e zgjedhjeve vendore të vitit 2015, LSI-ja merr të paktën 34 mandate deputetësh në të gjithë vendin. Po të kthemi në realitetin e sotëm, mbas dy vjetësh kuptohet që rritja do të jetë në një progresion ndoshta të pamenduar. Mjafton t’ju them që sipas 2015-s ka të paktën 7 mandate të sigurta në Tiranë, 4 mandate në Durrës, 4 në Fier, 4 në Elbasan, 3 në Korçë, e shumë qarqe të tjera”, ka shtuar Meta.