Ballina Aktualitet PD publikoi dosjen e dënimit të vëllait, reagon Xhafaj: Ka ndodhur në...

PD publikoi dosjen e dënimit të vëllait, reagon Xhafaj: Ka ndodhur në vitin 2002, vëllai im ndodhej në vendin e gabuar

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka folur në lidhje me akuzat që ka ngritur Partia Demokratike për vëllain e tij.

Xhafaj tha se këto akuza të përsëritura vijnë si pasojë e një ngjarjeje që ka ndodhur në vitin 2002.

Sipas Xhafajt, vëllai i tij, asokohe 25-vjeç ka qenë në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.

“Duket e thjeshtë, por akoma unë nuk kam mundur të kuptoj se cili është problemi i personalitetit tim si njeri dhe si zyrtar në lidhje me çfarë bën, apo akoma më shumë se çfarë ka bërë para 15 vitesh im vëlla. Ndërkohë që nuk kam se si të kuptoj çfarë kërkohet sot tjetër përveç baltosjes sime, nëse në raport me këtë çështje as kam pasur e as kam asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi të”, tha ndër të tjera Xhafaj.

Deklarata e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj

Sot Partia Demokratike paketoi mediatikisht si zbulim të ri një çështje të ndodhur në vitin 2002, e cila ka më shumë se 15 vjet që e sjell dhe e risjellë në vëmendje të publikut këtë çështje!! Dhe kjo ndodh sa herë që kundërshtarëve politike u duhet të luftojnë me baltë, çka nuk luftojnë dot me argumenta në punën time, si dje gjatë reformës në drejtësi ashtu edhe sot si Ministër i Brendshëm.

Vendimi i gjykatës italiane, lehtësisht i gjendshëm edhe online, i ditur dhe i njohur prej vitesh prej tyre dhe prej kujtdo tjetër të interesuar, shqiptar apo partner ndërkombëtar, i publikuar dhe i stërpublikuar në mediat prane tyre, ka ridalë sot si e vetmja armë kundërshtie mesa duket ndaj meje, sot si Ministër i Brendshëm.

Dhe mesa duket unë nuk duhet të bëjë gjë tjetër veçse të ripërsëris veten në lidhje me riprezantimin e kësaj akuze.

Duket e thjeshtë, por akoma unë nuk kam mundur të kuptoj se cili është problemi i personalitetit tim si njeri dhe si zyrtar në lidhje me çfarë bën, apo akoma më shumë se çfarë ka bërë para 15 vitesh im vëlla. Ndërkohë që nuk kam se si të kuptoj çfarë kërkohet sot tjetër përveç baltosjes sime, nëse në raport me këtë çështje as kam pasur e as kam asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi të.

Kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur këta që sot e rizbuluan ishin në pushtet, dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdoqoftë për këtë çështje.

Nuk kam se çfarë t’i shtoj më shumë atyre çfarë unë kam thënë publikisht në lidhje me këto akuza se sa unë kam thënë në 2002, 2005, 2010, 2016 dhe 2017.

Gjithkush i interesuar gjen në këto deklarime qëndrimin tim koherent në lidhje me këtë çështje.

Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002, kur ai ishte një 25-vjeçar i gjendur në vendin e gabuar dhe nën shoqërinë e njerzëve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Ajo ka qënë e mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij.

Cilido në këtë vend, përfshi dhe mua apo familjarët e mi nuk është mbi ligjin.

Por ajo çfarë është më e rëndësishme është fakti se kjo qeveri nuk i siguron dhe nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt. As mua! Këtu jam dhe do jem, një qytetar i vendit tim që kurrë nuk ka shkelur e nuk do të shkelë ligjin, as për llogarinë time dhe as për llogarinë e të afërmve apo të njohurve të mi. Të tjerat janë politikë e llojit më të ulët dhe nuk janë puna ime.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook