Në konferencën e mbajtur në Tiranë ditën e djeshme morën pjesë ambasadorë të paqes, politikanë e ish-përfaqësues të shtetit nga Shqipëria dhe Kosova, ndër to dhe ish-Presidenti Alfred Moisiu.

Moisiu në fjalën e tij shprehet se qytetarët kanë humbur besimin te politikanët që kanë zgjedhur. Sipas tij deputetët nuk mundohen aspak të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me situatën e vendit dhe vështirësitë ekonomike që kanë qytetarët.

Ata nuk janë interaktivë dhe realë por dinë vetëm të gënjejnë, dhe mjaft mirë madje.

Këto janë fjalët e tij:

“Qytetarët e kanë humbur besimin dhe fatkeqësisht po vazhdojnë ta humbasin edhe më tej, te të zgjedhurit e tyre. Deputeti duhet të mbaj komunikim të vazhdueshëm me qytetarët që përfaqëson, të njoh problemet kryesore dhe të dialogojë me ta edhe kur nuk mund t’i zgjidh ato probleme që ngrihen, por të mos mbetet vetëm te premtimet që bëhen në kohë zgjedhjesh për të cilat vërtetë janë bërë mjeshtër të gjithë”

Ish-Presidenti Alfred Moisiu tregon se iniciativa për të krijuar një rrjet parlamentarësh për paqen dhe në Ballkan, është domosdoshmëri për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull në rajon, pasi sipas tij shovinizmi dhe nacionalizmi janë ende gjallë.

“Shovinizmi dhe nacionalizmi ende janë gjallë për fat të keq. Niveli i pamjaftueshëm kulturor dhe ekonomik është një shtrat i mirë për këto dy ideologji”, shprehet ai.

LEXO EDHE:  Teknologjia tejkalon çdo limit, ja ku politikanët do të zëvendësohen me inteligjencën artificiale

Ndërkohë në konferencë kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme nga skena botërore e politikës, si presidenti i Federatës Universale të Paqes për Europën, Euroazinë dhe Lindjen e Mesme, Kastumi Otsuka dhe ish-kryeparlamentarja e Luxemburgut, Erna Henikot, të cilët theksuan se tani është koha e bashkëpunimit me të gjitha vendet për paqen në botë. 

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook