Ballina Kryesore Ankimimi i PDIU, KQZ vendos hapjen e kutive të Tiranës, ja se...

Ankimimi i PDIU, KQZ vendos hapjen e kutive të Tiranës, ja se kur do rinumërohen votat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të hapë kutitë e votimit për qendrat e votimit në Tiranë, ku PDIU-ja pretendon se ka pasur tjetërsim të votave.  

Me shtatë vota pro KQZ-ja vendosi për rinumërimin e fletëve të votimit në QV-të ku PDIU-ja pretendon se iu është vjedhur vota.

Numërimi pritet që të bëhet paraditen e nesërme në orën 10:00.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri deklaroi se kutitë që do hapen duhet të depozitohen në një sallë në KQZ, ku edhe do të rinumërohen nesër.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nuk u bë deputet për 37 vota, duke humbur kështu mandatin. Ndërsa kjo forcë politike pretendon se i mungojnë 66 vota në disa kuti në qarkun e Tiranës.

Përfaqësuesi i PDIU-së në KQZ kërkoi rinumërimin e fletëve të votimit për 7 qendra votimi. 

Ndërsa Përfaqësuesi i PS-së u shpreh se gjatë shqyrtimit dolën fakte dhe prova të reja.

“Ne kërkojmë hapjen e 14 qendrave të tjera të votimit. Ne jemi dakord për të hapur dhe lexuar çdo fletë votimi. Nuk mund të lejojmë që për 65 fletë të njollosim mbi 400 votues”, tha ai.

Ankimimi i zgjedhjeve për qarkun e Tiranës ka bërë që KQZ të mos e certifikojë rezultatin për kryeqytetin që i jep 34 deputetë Kuvendit të Shqipërisë.