Ballina Aktualitet Basha : Rama nuk mbajti asnjë premtim , po mashtron sërish shqiptarët

Basha : Rama nuk mbajti asnjë premtim , po mashtron sërish shqiptarët

Në prag të fushatës, kryetari i PD Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se, meqë i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri.

Në një postim në Facebook, Basha ka deklaruar se, pasi nuk mbajti as edhe një premtim të vetëm, Rama ka filluar të premtojë nga e para.

“Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, në katër vite të varfërit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë. “Por ai prap gënjen kur thotë se do të punojë për të varfërit”, është shprehur Basha.

Ai ka theksuar se, shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, ndërsa kryeministri gënjen sërish duke premtuar se do ta bëjë falas në mandatin e dytë.

“Ai i braktisi fermerët dhe nuk u dha kurrë mbështetje, por tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia”, ka thënë më tej Basha, i cili ka prekur edhe situatën e kriminalitetit në vend.

“Krimi zaptoi shtetin dhe ekonominë, ndërsa kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet”, ka komentuar Basha.

Sipas tij, Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata.

“Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqëndrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vetë thelbi i republikës së vjetër. Ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre”, ka shtuar Basha.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Prifti nuk u beson syve, ja çfarë del nga pema në oborrin e kësaj kishe në Kosovë