Ballina Bota Clinton : Trump njësoj si Nixon

Clinton : Trump njësoj si Nixon

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton e krahasoi dje presidentin amerikan, Donald Trump me ish-presidentin Richard Nixon, i cili në vitin 1974 dha dorëheqjen në mes të skandalit Watergate.

Ish-kandidatja presidenciale e bëri deklaratën e lartpërmendur në ceremoninë e diplomimit në kolegjin ”Wellesley” të Bostonit, shkolla ku edhe vetë ajo u diplomua shkëlqyeshëm për Shkenca Politike, në vitin 1969.

Richard Nixon u dyshua se po pengonte drejtësinë, pasi ai shkarkoi prokurorin special të Departamentit të Drejtësisë, i cili po mbikëqyrte një hetim për veprimet e tij.

Clinton iu referua shkarkimit të prokurorit special, Archibald Cox, në vitin 1974, i cili drejtonte hetimet për skandalin e Watergate.

Disa analistë kanë krahasuar shkarkimin e Cox me shkarkimin që Trump i bëri shefit të FBI-së, James Comey, më 9 maj.

Clinton, e cila humbi përballë Trump në zgjedhjet e 8 nëntorit, është shfaqur shpesh kohët e fundit në publik.

Javën e kaluar, ajo njoftoi krijimin e lëvizjes së saj të re ”Onward Together” (”Përpara së bashku”), për të mbështetur njerëzit që përfshihen në politikë dhe që kundërshtojnë administratën Trump.