Ballina Politike Deputeti i PS paralajmëron fitoren e tretë: Me aleancën e re nuk...

Deputeti i PS paralajmëron fitoren e tretë: Me aleancën e re nuk do ta kemi të vështirë të fitojmë edhe në 2021

Kryesuesi i listës së deputetëve të Partisë Socialiste në Elbasan, Taulant Balla ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë e FRESSH-it, që po vazhdojnë kampin e tyre veror në Jalë. 

Balla në fjalën e tij përpara të rinjve që e pritën me ovacione fjalimin që deputeti do të mbante u shpreh se kjo ka qenë një prej fushatave më të vështira që ai ka realizuar ndonjëherë me PS. por edhe nga më të bukurat nëqoftëse merret parasysh fakti që çdo parti kandidonte më vete në këtë sistem zgjedhor. Ajo çka e bëri më të vështirë është që partitë e kanë të vështirë të marrin më shumë se gjysmën e vendeve të parlamentit dhe PS ja doli mbanë falë koalicionit perfekt, atij me qytetarët.

“Si kudo dhe në Elbasan ne arritëm që të marrim një mandat më shumë nga zgjedhjet e vitit 2013, duke i garantuar Partisë Socialiste 74 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, duke hapur një etapë tjetër të zhvillimit të Shqipërisë. Ne i kërkuam popullit që të na jepte një mandat që të qeverisnim vetëm, por kjo nuk do të thotë që ne do qeverisim vetëm, do jemi përsëri në aleancë, në koalicion, por tashmë në aleancë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, – foli deputeti Balla.

Balla theksoi se opozita e vërtetë do të jenë vetëm ata zyrtarë që nuk ofrojnë shërbimin e duhur ndaj qytetarëve. “Duhet të kuptojmë që në katër vitet që vijnë ne nuk jemi në opozitë me LSI-në, as me PD-në. Ne jemi në opozitë me të gjitha ata zyrtarë dhe punonjës shteti të cilët nuk e bëjnë punën si duhet. Detyra jonë është që t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve një shërbim krejtësisht tjetër nga ky që është dhënë në 4 vitet që vijnë”.

LEXO EDHE:  Edi Rama "pro" shkarkimit të kreut të KQZ-së, Klement Zguri

Balla u shpreh besimplotë se me koalicionin me njerëzit e thjeshtë fitorja do të ishte jo e vështirë edhe në 2021. “Më e vështirë sesa fitorja vetëm është që ne t’i qëndrojmë pritshmërive që njerëzit kanë ndaj nesh, sepse pritshmëritë e shqiptarëve ndaj PS sot në korrik të 2017 janë shumë më të mëdha se në korrik të 2013 dhe në krye të katër viteve nëse ne do t’i qëndrojmë angazhimeve tona do të jemi përsëri këtu në përfundim të një fushate tjetër zgjedhore të 2021, ku nëse ne do ta ruajmë bashkëpunimin dhe komunikimin me njerëzit e zakonshëm nuk është aspak e vështirë që PS në 2021 ti fitojë zgjedhjet. Ne nuk i fitojmë zgjedhjet për shkak se kemi kundërshtarë të dobët apo për shkak të sistemit zgjedhor, por i fitojmë zgjedhjet sepse jemi e vetmja forcë politike e besueshme për shkak edhe të faktit që kemi të vetmin lider të besueshëm nga shqiptarët për të drejtuar vendin”, – përfundoi fjalën Balla.