Ballina Kryesore Meta në simpoziumin “Ëndrra e Azemit, Shqipëria si Europa”: Figurë epokale, gjurmët...

Meta në simpoziumin “Ëndrra e Azemit, Shqipëria si Europa”: Figurë epokale, gjurmët e veprës së tij janë të përjetshme

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti simpoziumin “Ëndrra e Azemit: Shqipëria si Europa” dhe vizitoi ekspozitën e hapur me rastin e 20-vjetorit të vrasjes së “Dëshmorit të Kombit” Azem Hajdari, tribunit të demokracisë dhe udhëheqësit të Lëvizjes Studentore Shqiptare në vitet 1990-91 si dhe të bashkëpunëtorit e truprojës të tij, Besim Çera.

Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, Presidenti Meta u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në një ngjarje të tillëqë na fton të gjithëve jo vetëm të kujtojmë këtë figurë epokale, Azem Hajdarin, por njëkohësisht edhe të reflektojmë për të ardhmen, veçanërisht për realizimin e ëndrrës së tij: Shqipëria si gjithë Europa!
Gjurmët që la Azemi në historinë e kombit, me kurajon, guximin e veprën e tij janë të përjetshme.
Shembulli i tij uroj të gjenerojë një angazhim më të madh tek rinia e sotme, që me shpirtin e lirë, energjinë e kurajon e saj, të udhëheqë proceset për europianizimin e plotë të vendit.”

Më tej, Presidenti Meta, i cili ka qenë edhe vetë pjesëmarrës i Lëvizjes Studentore Shqiptare 1990-91, duke folur për udhëheqësin studentor të asaj periudhe, vuri në dukje:“Azem Hajdari më risjell figurën e Giordano Bruno-s, por me një ndryshim të rëndësishëm. Azem Hajdari kishte një familje të tijën, të sapo krijuar, me dy fëmijë të mitur, kur mori përsipër një mision jashtëzakonisht të vështirë dhe të paparashikueshëm përsa i takon rrezikut, për të vrarë frikën e një populli të tërë në kohën kur pakënaqësia ishte e madhe, por frika ishte akoma më e madhe dhe e ngulur shumë thellë, për gjenerata të tëra.

Ka qenë një fat i madh që në atë moment, vendit iu gjet një lider kaq i guximshëm. Falë guximit, trimërisë dhe burrërisë të të cilit, Lëvizja Studentore u kthye në një uragan të papërmbajtshëm duke mos lejuar disa ndryshime kozmetike, por duke hapur rrugën e një transformimi të thellë dhe epokal të vendit nga diktatura më e fortë dhe më e ashpër që ka njohur kontinenti ynë.”

LEXO EDHE:  A është Meta një “Peshk i Madh”? Ja si përgjigjet Presidenti

“Dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë edhe angazhimin e tij për çështjen kombëtare, për çështjen e Kosovës, që në dhjetor të vitit ’90 dhe në vijimësi. Kjo natyrisht lidhet me formimin e tij dhe edukimin që në familje, nga treva nga e cila vinte, por edhe duke qenë më i ndërgjegjshëm për padrejtësitë që vuanin shqiptarët në ish-Jugosllavi.

Azemi ishte një njeri i lindur ‘i lirë’. Ishte një njeri i lindur ‘i guximshëm’, në genin e tij ‘demokrat’ dhe këtë e tregoi përgjatë gjithë jetës.

Këtë e tregoi jo vetëm angazhimi në dhjetor në vitit ’90, por edhe më pas, kur për shumë çështje të caktuara ai kishte mendimet e veta dhe luftonte për to.

Azemi ishte dhe një njeri i bashkëpunimit dhe njeri i kompromiseve, me vlera shoqërore dhe njerëzore të veçanta.

Azemi kishte një kimi të lindur me njerëzit, i lidhur me ta, i kuptonte hallet dhe vuajtjet e tyre sepse kishte dalë nga shtresat më të thjeshta të popullit tonë.” – theksoi Presidenti Meta.

Në këtë 20-vjetor të vrasjes së tribunit të demokracisë, Presidenti i Republikës nëvizoi: “Kjo figurë na fton sot për të reflektuar dhe për të kuptuar që demokracia as nuk vjen si dhuratë dhe as nuk qëndron si e tillë. Demokracia kërkon guxim për t’u fituar, por dhe guxim për t’u mbrojtur çdo ditë, sepse tolerimi më i vogël i shkeljes së të drejtave të njeriut sot çon në një avancim të autoritarizmit edhe më të madh nesër.

Populli dhe kombi ynë ka vuajtur shumë nga mungesa e demokracisë, nga nënshtrimi ndaj pushtetit dhe autoritarizmit dhe është shumë e rëndësishme që kjo figurë, shembulli i tij, frymëzimi i tij, të gjenerojë një angazhim edhe më të madh të të gjithë të rinjve të cilët kërkojnë të drejta më shumë, kërkojnë shanse më shumë, mundësi më shumë që të luftojnë për më shumë demokraci. Besoj se ata e kanë shumë më të lehtë se sa e ka patur Azem Hajdari përpara 28 vitesh.

LEXO EDHE:  Ilir Meta apel për të rinjtë: "Merruni sa më shumë me politikë"

Duke i uruar suksese familjes Hajdari dhe sidomos Azemit junior në të ardhmen, dua të theksoj dhe njëherë tjetër se, Azem Hajdari është një figurë e përmasave epokale që ka dhënë një mesazh të pavdekshëm, të përjetshëm për të gjithë shqiptarët kudo ku ata janë se ‘demokracia kërkon guxim.”