Ballina Kryesore Meta viziton Rugovën dhe jep një mesazh për shqiptarët e Kosovës

Meta viziton Rugovën dhe jep një mesazh për shqiptarët e Kosovës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi Rugovën e Pejës, ku u mikprit nga Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri si dhe mori pjesë duke përshëndetur veprimtarinë tradicionale popullore, kulturore e artistike, “Lojërat tradicionale të Rugovës” të mbajtur në fshatin Stankaj, me praninë e mijëra bashkatdhetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.

Presidenti Meta e nisi ditën në Bjeshkët e Rugovës duke përshkuar me ecje për rreth dy orë së bashku me kampionin e peshëngritjes Erkand Qerimaj, rrugën që lidh Bogën me Shkrelin.

Me rastin e kësaj vizite, Bashkësia Territoriale Rugovë dhe Këshilli Organizativ “Rugova 2018” i dha Presidentit të Republikës me anë të kryetarit të saj, zotit Vesel Nikçi, titullin “Mirënjohje” me motivacionin “Për kujdesin dhe angazhimin e vazhdueshëm në afirmimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të etnorajonit Rugovë”.

Duke vlerësuar bukuritë e rralla të natyrës shqiptare, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Shpreh kënaqësinë më të madhe që ndodhem sot në mes të këtyre bjeshkëve të mrekullueshme të Rugovës, të cilat janë vërtet mjaft frymëzuese! Janë vërtet mjaft oksigjenuese. Janë vërtet një burim i pashtershëm i atdhedashurisë dhe i sakrificave për kombin e për çështjen kombëtare.”

“Është një kënaqësi e veçantë që jam në Rugovën e Ibrahim Rugovës e të gjithë shqiptarëve! Sikurse ishte kënaqësi të shëtisja sot nga Boga në Shkrelin e Azem Shkrelit e në mjaft vise të tjera, duke shijuar këto bukuri përrallore, që kanë nevojë të vizitohen edhe më shpesh.

I ftoj shqiptarët e Rugovës e Kosovës që në këtë periudhë të vizitojnë Shqipërinë për më shumë det, dhe ne nga Shqipëria, të vijmë këtu në mal, në këto bjeshkë të mrekullueshme. Kështu turizmi do të zhvillohet në mënyrë të pandërprerë, por edhe lidhjet tona do të jenë akoma edhe më të forta.

LEXO EDHE:  Vrasja e Agur Vrenozit/ Presidenti Meta: Akt heroik, shoqëria shqiptare nuk mposhtet nga krimi

Është kënaqësi që marr pjesë në këtë veprimtari, sepse kjo mban të gjalla traditat e kësaj treve, por jo vetëm të saj. Mban të gjalla traditat tona më të mira kombëtare, folklorike, muzikore. Në këtë mënyrë edukojmë edhe brezat e rinj me dashurinë për këtë vend e për këto troje dhe forcojmë identitetin kombëtar dhe kulturor.

Përgëzimet më të mira për të gjithë ju! Për kryetarin zotin Muhaxheri, të cilit i uroj një mandat të suksesshëm, dhe njëkohësisht edhe për ansamblin ‘Rugova’ dhe për të gjithë ata që marrin pjesë në këtë veprimtari të mrekullueshme!

Uroj që Kosova shumë shpejt do të përfitojë liberalizimin e vizave dhe në këtë mënyrë, të vazhdojë rrugëtimin drejt përparimit, në interes të të gjithë qytetarëve të saj, në mënyrë të veçantë në interes të të rinjve, të cilët duhet ta shohin të ardhmen e tyre në këto troje, në këto alpe.

Sepse ne e dimë shumë mirë që as Austria, dhe as Zvicra nuk i kanë alpet më të bukura se ne!

Por ne duhet të punojmë më shumë që të rinjtë tanë të punojnë këtu dhe këtë bukuri, që natyra u ka dhënë këtyre trojeve, me punën e edukimin e tyre, ta kthejnë në mirëqenie për të gjithë! Urime dhe suksese!” –  u shpreh Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook