Ballina Politike Selami hidhet në fushatë: Demokratët do të fitojnë dhe do të kthehen...

Selami hidhet në fushatë: Demokratët do të fitojnë dhe do të kthehen fuqishëm

Eduard Selami ka nisur fushatë me takimet e tij bazë në qytetin e Lezhës, Rrëshenit, Laçit, Fushë Krujës, dhe Krujës ku nuk la pa përmendur se gara për kryetar të PD-së do të jetë ajo që do nxjerri demokratët kudo që janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë më parë.

“Besoj që së bashku jo vetëm do ta kthejmë PD në parti fituese, do ta kthejmë Shqipërinë edhe një herë në rrugën e suksesit, jo vetëm rajonal por edhe më gjerë”, u shpreh Selami.

Ai tregoi se demokratët do të marrin besimin prapë tek PD, atë besim që Basha nuk e siguroi dot për 4 vite.

“Demokratët do të fitojnë dhe do të rikthehen po aq fuqishëm sa edhe në vitin ’92. Unë kam besim absolut se demokratët janë forca më progresive e Shqipërisë që gjeneron sukses edhe progres dhe këtë e kanë dëshmuar faktet. Prandaj, kjo më bën mua kaq krenar që jam demokrat dhe unë jam këtu që me energjinë tonë, t’ia dalim dhe në këtë sfidë të ringritjes së PD”, foli Selami.

Pasi u përqëndrua tek pjesa që ai cilësoi si rikthim i vlerave demokratike, respektim i Statutit dhe dëgjim i strukturave, Selami tha që vendosja e sistemit të meritokracisë është e rëndësisë themelore tek Partia Demokratike.

“Ka ardhur koha që rregullat e lojës të respektohen që Partia Demokratike të përfaqësojë realisht interesat e demokratëve, që janë interesat e gjithë shqiptarëve”, foli Selami.