Në këtë prag Krishtlindjesh e atmosferë festive Presidenti i vendit Ilir Meta ka dhënë mesazhin e tij për të gjithë shqiptarët. 

Përmes një postimi në Facebook Meta uron shqiptarët për paqe mbarësi, dashuri e ndër të tjera drejtësi sociale, dhe i bën apel atyre të mos harrojnë njerëzit në nevojë.  

Në postimin e plotë të Metës thuhet: 

“Të dashur miq,

Në vigjilje të Ditës së Bekuar të lindjes së shpresës e gëzimit, mirësisë, solidaritetit e humanizmit, Ju shpreh urimet më të ngrohta dhe të përzemërta, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë: Gëzuar Krishtlindjen!

Uroj që kjo festë e bukur e Krishtërimit, që mishëron vlera sa hyjnore, aq dhe njerëzore dhe që bashkon familjen e shoqërinë tonë me paqen, harmoninë e mirëkuptimin, të sjellë më shumë mbarësi, dashuri, lumturi, begati dhe drejtësi sociale.

Në këtë Ditë të Shenjtë të mos harrojmë të vetmuarit, njerëzit në nevojë dhe të sëmurët, për t’u dhënë atyre më shumë shpresë, besim dhe gëzim.

Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjen!”- shkruan Meta më tej në urimin e tij.