Mbrëmjen e 4 tetorit, një krim i trefishtë ndodhi në zonën e Bllokut në kryqytet, ku si pasojë e  një shkëmbimi zjarri brenda lokalit “Monopol” mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj e Eljon Hato.

Pas ngjarjes së rëndë, policia krahas postblloqeve të shumta për kapjen e të dyshuarve, të shpallur tashmë në kërkim, Ervin Mata, Merviol Bilo dhe Flavio Alushi, shoqëroi edhe të plagosurit në spital.

Një patrullë bëri të mundur shoqërimin e Ervis Marinajt dhe Elion Hatos për në spitalin e Traumës.

Por burime policore i thanë “DuaLajm.com” se me të mbërritur në spitalin e traumës u kërkua menjëherë thirrja e forcave speciale pasi aty më parë kishin mbërritur persona të tjerë të cilët kërkonin marrjen e 36 vjeçarit të plagosur Ervis Martinaj.

Forcat RENEA dhe FNSH në Spitalin e Traumës pak çaste pas mbërritjes së Ervis Martinaj të plagosur

Sipas të njëjtave burime një grup të rinjsh kishin kërkuar marrjen e Ervis Martinaj. Ata ishin prezantuar si miqtë e tij dhe kishin kërkuar ta largonin nga ambjentet e Spitalit të Traumës. Kjo ka bërë që Policia të përforconte masat e ruajtjes së tij me Forca Speciale dhe ato të FNSH, nga frika se të rinjtë mund të ishin persona të tjerë që nuk kishin lidhje me miqtë e Martinaj.

Pas operacionit mjekët thanë se Martinaj ka marrë një plumb në qafë i cili i ka kaluar tej përtej por që nuk ka prekur asnjë organ jetësor apo arterie. Aktualisht Martinaj është nën arrest dhe ndodhet i shtruar tek Spitali Amerikan vetëm pak metra larg Spitalit të Traumës.