Presidenti i Republikës, Ilir Meta në aktivitetin e organizuar për vitin e Skënderbeut tha se Skënderbeu do të jetë Ylli Polar për kombin shqiptar.

Meta shtoi se heroi kombëtar do të jetë gjithmonë krenaria jonë, ndërsa kërkoi bashkëpunim dhe konsensus nga të gjitha forcat që të realizohet hapja e negociatave në qershor.

“Le të jetë një vit i reflektimit në rrugëtimin drejt BE. Skënderbeu do të jetë ylli polar i vendit tonë në çdo kohë dhe çdo herë. Çelja e negociatave në qershor do të mund të realizohet vetëm përmes një reflektimi dhe bashkëpunimi mes të gjitha forcave politike në vend”,  deklaroi Meta.

Ai bëri thirrje që ky vit i përkujtimit të tij të jetë ai drejt integrimit si komb përmes një bashkëpunimi të sinqertë mes forcave politike.

 “Gëzimet, festat e çdo gjë e jona ka në ballë figurën e Skënderbeut. Ju arbëreshët e Skënderbeut, vëllezërit tanë arbëreshë që jetoni në Kalabri e Sicili e deri në Argjentinë meritonit një nderim të veçantë.

Ju e mbajtët të gjallë jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit. Ky vit i përkujtimit le të jetë një vit drejt integrimit tonë si vend, si komb, aty ku na e caktoi vendin, heroi ynë në Europë, ylli polar i kombit tonë”, tha Meta.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

LEXO EDHE:  Deklarata e UEFA-s për kërcënimin me jetë ndaj inspektorëve, vjen reagimi i klubit të Skënderbeut