Presidenti i vendit Ilir Meta ka pritur sot në një takim kortezie ambasadorin e parë rezident të Japonisë në Tiranë, Makoto Ito.

Presidenti Meta ka falenderuar në emër të tijin dhe gjithë shqiptarëve ambasadorin e Japonisë për ndihmesën e madhe e të çmuar që Japonia ka dhënë në dy dekadat e fundit, si për zhvillimin ekonomik e infrastrukturor të vendit, ashtu edhe në fushat e arsimit e të kulturës, si dhe mjedisit.

Teksa përshëndeti  vendimin e Japonisë për hapjen e Ambasadës në Tiranë, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu besimin se tashmë janë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi mes dy vendeve të rritet e forcohet edhe më shumë.

 

Në përgjigje të urimit me rastin e marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta i dorëzoi Ambasadorit Ito një mesazh falënderimi për Perandorin e Japonisë Akihito.