Revista prestigjoze britanike “The Economist” ka publikuar së fundmi një artikull të dedikuar terësisht për mafian shqiptare, duke studjuar fenomenin, sidomos në rritjen e aktivitetit të krimit të organizuar në Shqipëri prej disa vitesh, në shkallë ndërkombëtare.

I titulluar “Piranja nga Tirana”, në artikullin e “The Economist” shkruhet ndër të tjera: “Duke kërkuar për klasifikimin e grupeve të krimit të organizuar, në bazë të rrezikut që paraqesin në Europë, një zyrtar i lartë i agjencisë policore të BE-së, Europol,ka vendosur kriminelët shqiptarë përpara atyre rusë”.

Policia britanike ka thënë se aktivitetet e mafies shqiptare janë përgjegjëse për një rritje të frikshme gjatë kohëve të fundit të trafikimit të qenieve njerëzore. Grupet e shqiptarëve dhe kosovarëve në Britani akuzohen gjithashtu për vrasje dhe tortura për të kontrolluar pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës, shkruan “DuaLajm.com”.

Tradicionalisht, mafia shqiptare mban “kurorën” për trafikimin e drogës, armëve, si dhe trafikimin e qenieve njerëzore dhe në prostitucion. Por kohët e fundit mafia shqiptare zuri rolin kryesor në trafikimin e kanabisit në Europë.

Një artikull i botuar pak kohë më parë nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) theksonte se tregu i drogës në Angli kontrollohej nga mafia shqiptare, ndërkohë që prej vitit 2015 është zbuluar shfaqja e një grupi të ri të mirëorganizuar shqiptar të shitjes së drogës, i cili gjithnjë e më shumë ka nxjerrë fitime marramendëse nga viti në vit në “biznesin” e drogës.

Sipas Steve Bennet, zv/drejtor i NCA, organizatat kriminale shqiptare po bëhen gjithnjë e më shumë të pushtetshme për shkak se janë në gjendje për të bashkëpunuar me organizata të tjera kriminale.

LEXO EDHE:  The Economist publikon indeksin e demokracisë: "Shqipëria nuk di të qeverisë".

Megjithatë, sipas Jana Arsovska, studjuese i krimit shqiptar, mafia shqiptare nuk është asgjë tjetër, veçse një mit. Sipas studjueses së krimeve, reputacioni që kanë shqiptarët në përdorimin e paskrupullt të dhunës shkon për përtej përdorimit të tyre të vërtetë të dhunës. Arsovska thekson se viktimat e mafias shqiptare, rrallë herë janë pa lidhje me punët e tyre.

Për më tepër, sipas tij, mafia shqiptare nuk mund të konsiderohet Cosa Nostra ose Yakuza, sepse nuk është e mundur të flitet për këtë në aspektin e mirëorganizimit të strukturuar. Përkundrazi, janë grupe të veçanta që punojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe shpesh herë bien ndesh me njëri-tjetrin.

Shumica e kriminelëve shqiptarë nuk ishin të tillë para emigrimit nga vendi i tyre, gjë e cila do të thotë se shumë kriminelë etnikë në Europë, janë kthyer në keqbërës pasi kanë emigruar.

Artikulli i “The Economist” përfundon duke deklaruar: “Brutale, të pamëshirshme dhe të dukshme, të gjitha janë më pak të sofistikuara sesa mafia e vërtetë. Ka pak shenja të aleancave me poltikanët lokalë për mbrojtjen e bizneseve të tyre, ose për të ricikluar fitimet e tyre, përveçse në pasuri të patundshme në Ballkan. Dhe e njëjta ndjeshmëri që i bën ata aq të frikshëm, i bën ata të pambrojtur ndaj mbikëqyrjes së thjeshtë”. /DuaLajm.com