Komisioni i Pavarur i Kualifikimit paraditen e këtij 8 Janari mori vendimin për shkarkim nga detyra të kreut të Gjykatës në Sarandë, Altun Çela. 

Në raportin e tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi se Cela kishte probleme në të trija kriteret e rivlerësimit; pasuri, figurë morale dhe aftësi profesionale.

Trupa gjykuese që kreu vetingun për Çelën përbëhej nga Pamela Qirko, Xhensila Pine dhe Genta Tafa Bungo.  

DSIK ka dorëzuar një raport negativ për gjyqtarin Çela, duke nënvizuar se ky i fundit nuk është ‘i përshtatshëm’ për tu konfirmuar në detyrë, ndërsa vlerësimi i KLD-së për profesionalizmin e subjektit është ‘nën mesatar’. 

Alltun Çela e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1995. Ai drejton Gjykatën e Sarandës prej vitit 2008, ndërsa u rikonfirmua në këtë pozicion edhe në vitin 2014.

Në vitin 2016, emri i Alltun Çelës u lakua në Gjykatën e Krimeve të Rënda për një çështje pronash nga kolegu i tij Rasim Doda, ndërsa ky i fundit po gjykohej për korrupsion. Doda u dënua në shkallë të parë, por Apeli e rrëzoi vendimin.