Aktivitetet kriminale të lidhura me produktet e falsifikuara po kryhen nga rrjete të krimit të organizuar gjithnjë e më shumë të profesionalizuara dhe prodhimi në Europë i produkteve të falsifikuara është një tendencë në rritje, sipas një studimi.

‘’Në Bashkimin Europian, produktet e falsifikuara dhe produkteve pirate mund të arrijnë deri në 6,8% të importeve për një vlerë rreth 121 miliardë euro. Kjo vlerë në vitet e fundit ka shënuar një rritje të konsiderueshme’’, pohojnë institucioni i bashkëpunimit policor Europol dhe agjencia europiane për mbrojtjen e pronësisë intelektuale EUIPO.

Një gamë gjithnjë e më e larmishme e produkteve të falsifikuara dhe produkteve pirate është e aksesueshme në tregun e BE-së.

Përveç artikujve më të shpeshtë ato të luksit, një gamë e gjerë e produkteve të konsumit të përditshëm është tashmë në objektivin e personave falsifikues, sipas studimit, ku citohen veçanërisht produktet kozmetike, pajisjet elektronike, pesticidet, produktet farmaceutike, produktet e duhanit, lodrat dhe pjesët e këmbimit të automjeteve.

‘’Megjithëse pjesa më e madhe e produkteve të falsifikuara në tregun e BE-së janë prodhuar jashtë Europës, më konkretisht në disa rajone të Azisë, prodhimi brenda hapësirës europiane është një trend në rritje’’, sipas një komunikate të përbashkët të Europol-it dhe EUIPO-s.