Në vitin 1950, vetëm 21% e shqitarëve jetonin në qytet dhe pjesa tjetër në fshat, sipas të sistemit të të dhënave të Kombeve të Bashkuara për Persektivën e Urbanizimit. Jetesa në qytet ishte një “luks” për shumëkënd dhe zhvendosja nga zona rurale në atë urbane ishte shumë e vështirë. Bujqësia kontribuonte në atë kohë në 70% të prodhimit të brendshëm bruto.

Në vitin 1990, pak përpara fillimit të ndryshimeve të mëdha nga regjisimi socialist në demokraci, popullsia që jetonte në qytet zinte 36% të totalit, sipas të njëjtit sistem të të dhënave.

Më pas filloi ndryshimi i madh, ku dy ishin tendencat kryesore, emigrimi jashtë vendit dhe migrimi i brendshëm. Banorët e zonave rurale, sidomos në veri dhe zona malore u zhvendosën drejt qendrës së Shqipërisë.

Në vitin 2008, për herë të parë popullsia në fshat u barazua me atë në qytet. Teksa qytetet po zgjerohen me shpejtësi dhe migrimi i brendshëm vazhdon, në 2018-n, pesha e popullsisë që banonte në fshat zbriti në 40%. Pesha e bujqësisë ka rënë, por ajo vijon të mbetet e konsiderueshme, në 20% të PBB-së, duke qenë ende ekonomia më bujqësore në Europë (ne vendet e BE-së, bujqësia sjell maksimumi 5% të PBB-së) dhe në vendet e rajonit deri në 11%.

Tirana dhe Durrësi u bënë pritësit më të mëdhenj të banorëve që erdhën nga zonat rurale dhe kjo tendencë po vijon. Sipas INSTAT, nga përllogaritjet e popullsisë në 1 Janar 2018 rezulton se vetëm tri qarqe të vendit shënuan një rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë prej tyre shënuan një rënie të saj. Rritja më e madhe u vu re në Tiranë (+25,1 për 1000 banorë), duke u pasuar nga Durrësi (+16,9 për 1000 banorë) dhe Vlora (+2,15 për 1000 banorë). Uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër (-45,3 për 1000 banorë), Dibër (-36,6 për 1000 banorë) dhe Berat (-34,2 për 1000 banorë).

LEXO EDHE:  VIDEO/ 3 ministra firmosën urdhrin për ndalimin e tyre, por fishekzjarret dhuruan sërish spektakël në qytetet shqiptare

OKB parashikon që tendenca e zhvendosjes nga fshati në qytet do të vijojë me ritme të shpejta në dekadat në vijim. Në vitin 2050, vetëm 22% e shqiptarëve do të jetojnë në fshat, aq sa në fakt jetonin në qytet në vitin 1950, duke e përmbysur tërësisht strukturën e popullsisë.

Kjo nuk është vetëm një tendencë shqiptare. E gjithë bota po e “braksit” gradualisht fshatin. Sipas të dhënave të OKB-së, në vitin 1950, dy të tretat e popullsisë globale jetonin në zonat rurale, por kjo shpërndarje do të ndryshojë kryekëput për disa dekada. Pothuajse 70% e botës do të jetojë në zonat urbane deri në vitin 2050.

Në total, 2.5 miliardë njerëz do t’i shtohen zonave globale urbane deri në 2050, dhe pjesa më e madhe e tyre, rreth 90% do të ndodhë në Azi dhe Afrikë. Psh në Mumbai të Indisë, popullsia nga 20 milionë persona në 201-n do të arrijë në 42.4 milionë persona në 2050-n. /Monitor/