Prokuroria për Krime të Rënda ka reaguar pas vendimit të dhënë një ditë më parë nga gjykata, ndaj ish- ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Prokuroria deklaron se do të apelojë vendimin, si një detyrim ligjor.

Pas një seance maratonë, Gjykata e Krimeve të Rënda gjeti fajtor ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri vetëm për një nga tre akuzat e ngritura nga organi i akuzës.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal.

Dje, gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se ishin të mjaftueshme sipas saj , për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.