Prokuroria ka nisur vlerësimin e dëmeve të protestës kaotike të zhvilluar sot në Rrugën e Kombit, pranë Tunelit të Kalimashit ndaj tarifës së vendosur për automjetet.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se ka nisur dhe hetimi ndaj protestuesve që shkaktuan dëme.

“Prokuroria e Përgjithshme, Kryeprokurorja znj. Arta Marku, uron shërimin e shpejtë të të lënduarve në protestë.

Ndërkohë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës, Drejtuesja e saj Alketa Nushi me një grup prokurorësh të kësaj prokurorie, shkuan në vendgjarje dhe po punojnë për të gjetur autorët dhe shkaktarët e dhunës.

Kryeprokurorja znj.Arta Marku kërkon, mbështet dhe vë në dispozicion të Prokurorisë së Kukësit të gjitha burimet logjistike dhe njerëzore për zhvillimin me intensitet dhe rezultativ të hetimeve dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale të cilitdo që ka shkelur ligjin.

Prokuroria është në komunikim të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po kryen hetime për zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook