TIRANË

Pak orë para protestës së gjashtë kombëtare të opozitës së bashkuar, Presidenti Ilir Meta ka bërë apel të fortë për partitë organizatore dhe për qytetarët, ku u kërkon që tubimi i tyre të jetë paqësor dhe mos të përdorin akte dhune.

Me një deklaratë të shpërndarë për mediat, kreu i shtetit thekson se protestat në një vend demokratik janë fondamentale dhe një e drejtë  kushtetuese, ndërsa shton se ato rrisin përgjegjësinë dhe llogaridhënie e pushtetit për ta.

Mesazhi i Presidentit Meta:

Qëndrim i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta për protestën e thirrur sot nga Opozita e Bashkuar

25 maj 2019Në prag të protestës kombëtare të thirrur sot në mbrëmje nga drejtuesit e Opozitës së Bashkuar, duke shprehur bindjen se tubimet paqësore e demokratike, janë një e drejtë fondamentale e demokracisë, legjitime e kushtetuese, dua të theksoj se sa e rëndësishme është që ajo të jetë tërësisht paqësore. Si President i Republikës kam qenë dhe jam i bindur se është më mirë që shqiptarët të protestojnë për të drejtat e tyre dhe të kërkojnë një Shqipëri më të mirë dhe gjithëpërfshirëse, se sa të largohen nga vendi.

Në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj dua t’ju kujtoj se drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cënohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar.

Është përgjegjësi e udhëheqësve të Opozitës së Bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë.

Vetëm në këtë mënyrë, kauza juaj për një demokraci të vërtetë, që garanton një bashkëjetesë të gjerë qytetare, legjitimitet e funksionalitet të institucioneve, do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit.

Protestat e vazhdueshme të opozitës kanë pasur vëmendjen dhe janë transmetuar nga mediat më të njohura botërore, por imazhet tërësisht paqësore të protestës suaj do t’i shërbejnë më mirë të ardhmes europiane të Shqipërisë.