Është arrestuar punonjësi i Bashkisë Mallakastër, që goditi punonjësin e policisë të FNSH me gur në kokë gjatë protestës së djeshme të zhvilluar në Fier.

Pas analizimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera të mbledhura, u bë identifikimi i personit që goditi me gur në kokë punonjësin e policisë.

Si rezultat, rreth orës 13:10 u kap dhe u arrestua shtetasi P.I, 56 vjeç, banues në Ballsh (me detyrë inspektor mjedisi në Bashkinë Mallakastër).

Në vijim të veprimeve të kryera, policia e Fierit ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 10 shtetas, si edhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 2 shtetasve të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.