Siç u paralajmërua, sot do të nisë protesta e opozitës tek Kryeministria.

Kjo është e dyta pas protestës së 16 shkurtit para kryeministrisë, ku nuk munguan incidentet.

Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.  Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.

PD njoftoi policinë se protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para kryeministrisë, Lulishtja tek piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të kryeministrisë, rrugë në të cilën mjetet lëvizin nga RTSH drejt bulevardit.

Një qytetar që kishte mbërritur për protestën në Bulevard është shoqëruar nga policia pasi ka përdorur fjalë fyese ndaj efektivëve të policisë që ndodhen rreth Kryeministrisë. Nuk dihet identiteti, por sipas burimeve, qytetari do merret në pyetje dhe mund të lirohet.