Që prej një muaji tashmë studentë në një formë apo në një tjetër vijojnë të “mbajnë gjallë”, revoltën e tyre kundër qeverisë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Në një kohë kur disa studentë të fakulteteve të ndryshme kanë vendosur tashmë prej ditësh të ngujohen në ambientetet e fakulteteve përkatëse, sot ata kanë marrë një tjetër vendim.

 

Studentët kanë vendosur t’i rikthehen protestave në rrugë.

Ndryshe nga dje që zgjodhën godinat e Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë për të protestuar, ata do të marshojnë sot përpara Parlamentit.

Si duket se vendimet e fundit të qeverisë nuk mundën të shuajnë protestat e studentëve. Nga ana tjetër në revoltë janë ngritur edhe pedagogët që thonë se autonomia e universitetit dhe liritë akademike vihen në pikëpyetje.

Ndërkohë në fakultetin e Shkencave Sociale, Shkencat e Natyrës, Juridik dhe Histori-Filologji vijon bojkoti i mësimit, ku tashmë të rinjve u janë bashkuar dhe pedagogët.