Protesta e ditës së sotme nga opozita e cila erdhi si kundërpërgjigje për kryeministrin Rama pasi ky i fundit vendosi që të zhvillohet dmbledhja e Kuvendit, përgjatë tre orëve u pasua me tensione e deri në përplasje fizike mes turmës së protestuesve dhe policisë.

Ndërkohë vjen reagimi i parë nga ndërkombëtarët për aktet e dhunshme që qytetarët shqiptarë përfshinë në revoltën e tyre kundër qeverisë aktuale.

Me anë të një deklarate zyrtare OSBE ka reaguar për protestën e dhunshme duke deklaruar se ajo nuk është zgjidhje për problemet e Shqipërisë.

OSBE thekson se politikanët duhet të distancohen nga dhuna dhe të vetëpërmbahen, duke theksuar se nxit policinë për të reaguar në mënyrë përpjestimore.

Deklarata e plotë e OSBE-së për protestën e sotme të opozitës

“Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë.

Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”.