Ka nisur në seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin e Tiranës, Ilir Mustafaj, njëherësh kandidat për Gjykatën Kushtetuese.

Mësohet se hetimet për Mustafajn kanë përfunduar vetëm në një kriter, atë të pasurisë

KPK thekson se, “ ILDKPI ka sjellë raport që Mustafaj ka berë deklarim të saktë, nuk ka fshehje pasurie apo konflikt interesi”, por shton se “ka konstatuar mospërputhje mes pasurive të deklaruara në deklaratën e vettingut me deklaratat vjetore”.

Kështu, raportohet për mospërputhje në çmimin dhe sipërfaqen e pasurive dhe mënyrën e shlyerjes së kësteve të kredisë.

Sipas KPK ka mospërputhje në lidhje me një apartament banimi në Tiranë me vlerë 40 mijë euro.  Në deklaratën e vettingut thuhet së ka një apartament 120 m2. Ndërsa në deklarimin e vitit 2007 nuk deklarohet kjo pasuri. Në deklaratën e vetting deklarohet vlera 40 mijë euro dhe zvogëlim i sipërfaqes. Ka mospërputhje gjithashtu sa i përket shlyerjes së vlerës së detyrimit.

KPK ka konstatuar gjithashtu se: Babai i subjektit të rivlerësimit në vitin 1998 ka blerë 1 mijë m2 arë në Yzberisht në vlerën 2 mln lekë. Bazuar në të ardhurat e ligjshme ka pamjaftueshmëri paguese.

Në lidhje me sipërfaqet e marra në këmbim të një trualli 300 m2 dhe ndërtesës mbi të, Komisioni del në konkluzionin që ndërtuesi u ka dhënë  105%  të vlerës.

Vetë Ilir Mustafaj ka kërkuar zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.

“Dua të tërheq vëmendjen tuaj për proces të paanshëm. Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që  ju të zbatoni detyrimin kushtetues për të më hetuar në të trija kriteret. Kjo më shërben mua si subjekt por edhe procesit të vettingut në tërësi. Provat që ju solla për ju mund të jenë fletë, për mua janë fletë të jetës time dhe ju siguroj që do të ndryshojnë rezultat e hetimit tuaj. Jam thirrur në seancë dëgjimore në 14 qershor 19. Më ka ardhur emaili 48 orë pasi dorëzova letrat. Kërkova të shtyhej seanca, pasi në të njëjtën datë dhe orë ishim në një gjykim të rëndësishëm në Elbasan. Mendova dhe që koha e një mbrojtjeje efektive ishte e pamundur.  Seanca nga ju mu shty me vetëm 5 orë. Kam shprehur para jush në seancën dëgjimore të datës 14 qershor, që kam sjellë shumë prova. Për ju mund të jenë fletë. Për mua çdo fletë është një ditë e jetës sime, një muaj i jetës sime”,- ka thënë ai.