Paketa e solidaritetit u akordua sot nga Qeveria për familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar, me rastin e festave të fundvitit.

“Çdo familje përfituese e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar do të përfitojnë 3 mijë lekë shpërblim, me rastin e festave te fundvitit. Kjo paketë solidariteti konfirmon edhe njëherë vëmëndjen dhe përkujdesin e qeverisë per ata që kanë nevojë për përkujdes dhe mbështetje në këtë prag festash”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke prezantuar paketën e fundvitit.

Qeveria ka përcaktuar një buxhet prej 396 147 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milion e njëqind e dyzet e shtatë mijë) lekë në funksion të paketës së solidaritetit së fundvitit.

 Do të përfitojnë 62,640 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe 69 000 persona me aftësi të kufizuara.

Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë të cilët do të përfitojnë shpërblimin e fundvitit për vitin 2018 janë:

a) Familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familje të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar.

c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.