Kryeministri Rama i ka kërkuar të gjithë qytetarëve shqiptarë që të ndajnë me të në rrjetin social “Facebook” çdo eksperiencë negative në zyrat e shtetit.

Përmes një statusi në faqen e tij në “Facebook”, Rama thotë se për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme është shumë e rëndësishme që çdo njeri i zakonshëm, të ngrejë zërin kur del i pakënaqur apo, ende më keq, i fyer nga një zyrë shteti.

“EKSPERIENCA JUAJ NEGATIVE

Shumëkush prej jush ka të paktën një eksperiencë negative, të jetuar apo të dëgjuar nga familjarë a miq, në zyrat e shtetit. Do t’i isha falenderues kujtdo prej jush që do ta ndante një eksperiencë të tillë këtu. Nëse do të kishte edhe emra konkretë drejtuesish a punonjësish të zyrës përkatëse, edhe më mirë akoma.

Për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme është shumë e rëndësishme që çdo njeri i zakonshëm, të ngrejë zërin kur del i pakënaqur apo, ende më keq, i fyer nga një zyrë shteti. Platforma e Bashkëqeverisjes SHQIPERIA QE DUAM, e cila do t’ju jepet për gjykim në formë paraprake në fillim të javës, do të sigurojë lidhjen tuaj direkte me kabinetin qeveritar, edhe për rastet e eksperiencave negative në zyrat e shtetit.