Rama është pritur mes duartrokitjeve dhe protestave në qytetin bregdetar të Durrësit, në ndalesën e radhës të ciklit “Bashkia që duam”.

Duke iu referuar krizës “artificiale” sipas tij të shkaktuar nga opozita ma vizion për të ardhmen, ai tha se Basha e ka për zakon të bëjë zhurmë, të dalë nga Parlamenti, të djegë madje edhe mandatet për herë të parë në histori, vetëm e vetëm që të kapin diçka.

“Dhe në fakt e kapën diçka, e mbani mend 2017-n? Kapën gjysmën e qeverisë. Nuk morën Ministrinë e Kulturës, por morën Ministrinë e Brendshme, edhe me të kapur gjysmën e qeverisë menduan se do të rrëzonin edhe gjysmën tjetër. Po ku ka kështu? E patë që u rrëzuan vet më pas? Kanë kërkuar shumë gjëra, nga vota elektronike dhe numërimi elektronik, nga reformimi i Kodit Zgjedhor, por sa herë u kemi thënë hajdeni të ulemi t’i miratojnë ikin. Kanë ikur me pretekstin se duke u larguar do të fitojnë. Por bënë një gabim, këtë herë u larguan nga Parlamenti, sepse menduan se meqë fillimisht morën gjysmën e qeverisë, këtë herë do të merrnin pushtetin, madje në tavolinë. E ndjek edhe ajo fallxhorja nga pas. Por ne s’kemi çfarë të bëjmë më, duhet të vazhdojmë punën tonë përpara. S’e kemi për detyrë që të sjellim Lulin në pushtet.

Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet e 30 qershorit, do shkojmë për ato shumë gjëra që duhet të bëjmë. Përpara 4 vitesh ju kemi thënë do zgjidhet problemi i kanalizimeve dhe do jetë drejt zgjidhjes furnizimi me ujë dhe kjo ka ndodhur. Do transformojmë Porto Romanon në një park të ri. Nuk diskutohet se janë një sërë projektesh të mira e kësaj bashkie falë Vangjushit që ka pasur projekte. Kështu që mos dëgjoni jo po do bëhen zgjedhje të parakohshme, jo po do shtyhen, jo po do vijnë ndërkombëtarët do thonë meqë po qan Luli jepi biberonin. I dhamë 15 biberonë para dy vitesh, ai prapë nuk rritet. Le të rrijë në rrugë dhe të forcohet të bëhet gati më 2021. Se dëgjova dhe këtë juristin Bylykbashin jo nuk hyjmë në zgjedhje: Ti mos hy se i humbur del prapë. Ne do i bëjmë zgjedhjet si me ata, si pa ata. Sa herë ju ka rraf Dako kur e kishit ju qeverinë? Nicja ishte me ju, po kjo nuk na shqetëson. Nuk është detyra jonë të rrisim opozitën. Vazhdojmë rrugën përpara për Durrësin që duam”,- tha Rama.