Kryeministri i vendit, Edi Rama ka folur sot për marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave.

Rama e konsideroi këtë si një nga arritjet e kësaj qeverie pas reformave të qeverisë, veçanërisht asaj në drejtësi. Mirëpo përpos kësaj arritjeje, kryeministri bëri një paralajmërim edhe për politikanët.

Ai tha se pas pastrimit të institucioneve të drejtësisë, ata do të paraqiten në gjykatë apo prokurori, për të provuar pafajësinë e tyre.

“Vettingu këtë qëllim ka, të pastrojë sistemin dhe në pallatin e ri të drejtësisë të hyjnë gjykatës dhe prokurorë të cilët të drejtës i thonë e drejtë dhe të padrejtës e padrejtë, ata gjykatës e prokurorë të çliruar nga kthetrat e politikës, të vendosur në pozicionet e tyre falë meritës do ndajnë shapin nga sheqeri. Ata që sot ikin, do jenë të detyruar të kthehen, jo si gjykatës e prokurorë, por si individë që duhet të japin llogari para drejtësisë shqiptare për çfarë kanë bërë.
Politikanët nga më i gjati deri tek më i shkurtri do duhet të mos mjaftohen duke thënë unë jam i ndershëm, ai është hajdut por të provohen si të tillë kur të paraqiten në gjykatë apo prokurori, kur ato të jenë pastruar nga llumi i një çerek shekulli”, deklaroi Rama.

Ai foli edhe për platformën e bashkëqeverisjes duke ftuar qytetarët të shprehin shqetësimet e tyre.
“Ne duhet në mënyrë të vazhdueshme së bashku të nxjerrim jashtë nga zyrat e shtetit të gjithë ata që nuk e përfaqësojnë dhe nuk e nderojnë PS-në dhe votën e të gjithë atyre që i besuan PS-së. Ne duhet të mos tolerojmë askënd që kërkon të na mbajë peng në avazin e vjetër të tepsisë së pushtetit duke e kthyer një pozicion të marrë falë kontributit në PS për të ushqyer interesat e veta. Kjo është plotësisht e mundur sot sepse ne sot i jemi vënë në dispozicion të gjithë qytetarëve, platformën e bashkëqeverisjes. Ku mjaftojnë vetëm 3 minuta që çdo qytetar të mund të vërë në lëvizje ministrin përkatës dhe ta kthejë problemin e tij, hallin e tij, në një hall të ministrit për t’u zgjidhur. Janë rreth 1000 ankesa që trajtohen në një muaj”, tha Rama.

LEXO EDHE:  Basha i përvishet Kryeministrit Rama : "Eksporti kryesor i Shqipërisë është droga, ti nuk do të ndalosh..."

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook